Është zbardhur dëshmia e Angjelin Stërkajt, autorit të vrasjes së Armando Beqirit në 13 shkurt të këtij viti në Islandë. Sipas tij, krimi i rëndë ka ndodhur për arsye personale mes tij dhe të ndjerit, ku sipas Sterkajt ka ndodhur pas disa kërcënimeve serioze, të cilat tha se nuk i shpjegon dot për momentin.
Kujtojmë se Beqiri u ekzekutua me pistoletë silenciator më 13 shkurt në derë të shtëpisë, rreth orës 23:57, sapo ishe kthyer në shtëpi dhe kishte parkuar makinën. Autori i cili po e priste e ka qëlluar me më shumë se 5 plumba, pas shpine, në qafë dhe kokë, duke bërë që 33 vjeçari të ndërronte jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Ai jetonte prej vitesh në Islandë dhe ishte pronar i një kompanie sigurie fizike, që në shumë pak kohë kishte arritur një sukses të mënjëhershëm. 33 vjeçari nga Tepelena la pas gruan e tij shtatzënë dhe një djalë të vogël, të cilët ishin në shtëpi kur ai u qëllua.