Vrasje për pazare droge? Policia zbardh pistën kryesore për ekzekutimin e Mond Çekiçit

Policia dhe Prokuroria e Durrësit kanë ngushtuar rrethin e hetimeve duke përjashtuar pas verifikimeve disa nga pistat që mund të ishin bërë shkak për ekzekutimin e 43- vjeçarit, Edmond Koçi.

Kur kanë kaluar 72 orë nga atentati i ndodhur mëngjesin e së shtunës të kaluar në qytetin bregdetar, grupi hetimit ka nisur verifikimin dhe përjashtimin e disa pistave ku nuk kanë arritur të gjejnë asnjë indicie që mund ta ndihmonte për të hedhur më shumë dritë rreth motivit të vrasjes së Mond Cekiçit.

Burime nga grupi i hetimit përjashtojnë që ngjarja të ketë pasur si motiv prishjen e pazareve të drogës, duke u fokusuar tashmë vetëm te pista e hakmarrjes.

VERIFIKIMET

Hetuesit e ngarkuar për të hetuar këtë ngjarje kanë nisur verifikimin e pistave që më herët ngritën për motivin e vrasjes së Mond Cekiçit.

“Kjo është një ngjarje e rëndë dhe kemi punuar me ritme të larta për të hedhur dritë rreth këtij atentati, për motivin apo edhe identifikimin e autorëve. Përgjatë kësaj kohe kemi mundur të verifikonim disa pista te të cilat neve kishim dyshime se mund të ishin bërë shkak për vrasjen e Edmond Koçit dhe disa prej tyre i kemi s’kualifikuar duke ngushtuar kështu rrethin e hetimeve. Pista e prishjes së pazareve të drogës ka rënë, pasi nuk kemi mundur të gjejmë asnjë indicie që ta na ndihmonte për të vazhduar më tej në këtë drejtim”, thanë burimet.

HAKMARRJA

Duke marrë parasysh të kaluarën e viktimës dhe përfshirjen e tij në grupe kriminale, hetuesit kanë dyshime të forta se vrasja e 43- vjeçarit ka ndodhur për hakmarrje. Mond Cekiçi ishte një personazh i njohur në qytetin bregdetar dhe më herët edhe pjesë e bandës së Durrësit.

Më tepër se sa pjesë e bandës së Durrësit, ai kishte njohje familjare me Lulëzim Berishën, pasi janë rreth miqësie. Është përfolur se Mond Cekiçi ka marrë pjesë në disa ngjarje kriminale, por asnjëherë nuk është drejtuar gishti nga ai.

“Ndoshta është shumë herët, por ne kemi dalë në konkluzione paraprake dhe dyshojmë se Edmond Koçi është ekzekutuar për hakmarrje. Ai ka një të kaluar të errët shumë të dyshimtë dhe ka pasur shumë konflikte të vjetra jo të mbyllura. Pra, puna jonë tani fokusohet te këto konflikte, të cilat do të futen në sitën tonë të hetimit. Por, jemi deri diku të bindur se shkak për vrasjen është bërë hakmarrja”, sqaruan burime nga grupi hetimit.

Edmond Koçi u ekzekutua në orën 80:40 të së shtunës së kaluar, në lagjen 16 të qytetit bregdetar pranë Drejtorisë Arsimore në Durrës.

Në momentin e atentatit, ai ishte në shoqërimin e shoferit të tij, i cili për fat të mirë arriti të shpëtonte. /panorama