Tre ekspertë, dy prej të cilëve të pavarur, pritet të rindërtojnë skenën e krimit të ndodhur në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2021 në Elbasan, bazuar në një vendim të Gjykatës së Apelit.
Tre ekspertët që do të rindërtojnë skenën e krimit janë Arjan Hanko, pranë Institutit të Policisë Shkencore, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, ekspertë të pavarur.
Ekspertët duhet të përcaktojnë drejtimin e qitjes së armëve ditën e ngjarjes, ku viktimë mbeti Pjerin Xhuvani.
Gjykata u kërkoi ekspertëve rindërtimin e skenës në vendin e ngjarjes, ndërsa Policia ka vendosur shiritat rrethues për t’i lënë ekspertëve hapësirë të punojnë.
Eksperimenti hetimor vjen pas kërkesave të Arbër Paplekaj, i cili kërkoi të caktohet këndi i qitjes jo vetëm prej tij, por edhe dy persona të tjerë që nuk janë identifikuar ende pas kësaj ngjarjeje.
Paplekaj është i vetmi person që po përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjen, edhe pse është deklaruar se ka pasur një deformim të ngjarjes dhe përpjekje për të fshehur episode të saj, duke mos kryer një hetim të plotë.
Kjo do të jetë hera e dytë që rindërtohet ngjarja. Më herët, Prokuroria e Elbasanit rindërtoi ngjarjen në korrik të vitit 2022, por që duket se ka lënë dyshime mbi konkluzionet. Skena e krimit pritet të rindërtohet ditën e nesërme në orën 10:00. /oranewstv