Vrasja e Lekstakajt, Karamuço: Me djegien e makinës, provat biologjike shkojnë drejt pamundësisë për t’u identifikuar

Një atentat la të vdekur ditën e djeshme Nikolin Lekstakajn, në Balldre të Lezhës.

Ditën e sotme policia bëri me dije se në Gjadër të Lezhës është gjetur një makinë e djegur, brenda së cilës është konstatuar dhe një armë zjarri.

Sipas policisë makina e gjetur ishte raportuar më herët si e vjedhur, dhe dyshohet se mjeti dhe arma e gjetur, janë përdorur ditën e djeshme nga autorët që ekzekutuan 42-vjeçarin Nikolin Lekstakajn.

Ndërkohë, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, është shprehur sot lidhur me këtë ngjarje se djegia e makinës shuan provat, dhe e vetmja mundësi që i mbetet organeve janë dëshmitarët dhe kamerat e sigurisë.

“Tani me djegien e makinës, provat biologjike shkojnë drejt pamundësisë për t’u identifikuar. Nuk e di se në çfarë përmasash është djegur makina. E vetmja gjë mbeten dëshmitarët dhe kamerat e sigurisë”, tha Karamuço për “Special Report”, në Abcnews.

Eksperti Karamuço u shpreh se ai ende nuk është i bindur nëse kjo vrasje është kryer për hakmarrje dhe sipas tij policia duhet të ketë kujdes me dhënien e motiveve, pasi rrezikon të nxehë gjakrat mes fiseve edhe më shumë.

Karamuço theksoi se fillimisht duhet hetuar nëse ky person ka pasur konflikte të tjera me persona të tjerë, a ka qenë përfshirë në ngjarje të tjera dhe më pas të dilet në përfundim nëse kjo vrasje është bërë për hakmarrje apo jo.

“Mesa jam i informuar, kjo sagë është tanimë diku te 7-8 persona që kanë humbur jetën. Unë nuk jam i bindur që mund të jetë atentat për hakmarrje. Policia nuk duhet të nxitojë, sepse duke thënë për motive gjakmarrje rrezikon të nxehë gjakrat. Duhet para a ka pasur konflikte të tjera ky person. Ka shumë arsye komplekse që duhen hetuar për të dalë në përfundimin nëse kjo vrasje është bërë për hakmarrje apo jo”, tha Karamuço.

Pista e vetme deri më tani e policisë është ajo e hakmarrjes, pasi fisi Lekstakaj prej gati 3 dekadash është në hasmëri me fisin Nikulaj.

Kujtojmë që rreth 3 muaj më parë u ekzekutua në ambientet e biznesit të tij, Ardian Nikulaj. Për ekzekutimin e Nikulajt u arrestua në Britaninë e Madhe, Edmond Haxhia, ky i fundit ka lidhje familjare me 42-vjeçarin e vrarë ditën e djeshme,


Shtuar 20.07.2023 20:02