Vrasja e 19-vjeçarit në Fier, kolegët të përlotur: Ishte një djalë i përkushtuar dhe i dashur

Ditën e djeshme, vrasja e 19-vjeçarit Grei Bihuci, tronditi qytetin e Fierit. Ndërkohë sot, miq dhe familjarë të Greit janë mbledhur në vendin ku ai u vra dhe kanë vendosur lule në nder të kujtimit të tij.

Kolegët e Greit e përshkruajnë atë si një djalë pozitiv dhe që nuk sillte probleme, teksa kanë edhe një apel për të rinjtë.

“Grei ishte një nga pjesëtarët e stafit, një nga djemtë më të mire që kishim në staf, na vjen vërtet keq që u ndodh në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar. Nuk ishte djalë që sillte probleme”, tha një koleg.

“Kjo që ka ndodhur na ka shokuar të gjithëve. Ishte një djalë i përkushtuar, një djalë i dashur. Thirrja që dua të bëj është që të mundohet rinia e sotme të qëndrojnë me këmbë në tokë që mos të përfundojnë si Grei”, u shpreh një tjetër.

Ndërkohë, policia ka arrestuar autorët e krimit të rëndë, shkak për të cilin u bë një sherr i nisur në rrjetet sociale.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për ngjarjen e ndodhur reth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, Fier, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, në drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit 18 vjeç, banues në Fier dhe 17 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin 19 vjeç, dhe kanë plagosur shtetasin 20 vjeç, i cili është në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një mjet prerës (thikë) dhe një përforcues grushti, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes”, njofton policia.


Shtuar 12.03.2024 11:48