Vodhën 33 milion lekë nga kartat bankare: Dy të arrestuar në Tiranë, procedohen 5 të tjerë

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “SMARTPHONE”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik.

Janë arrestuar dy persona si dhe proceduar 5 të tjerë, për vjedhje dhe përdorim të të dhënave të kartave bankare.

Pas kryerjes së hetimeve rezulton se vetëm në një kompani këta shtetas kanë kryer një dëm prej rreth 33.000.000 lekësh, ndërkohë dyshimet janë se dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim.

Është arrestuar Q. T., 21 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Po ashtu, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore u ndalua dhe shtetasi I. B., 18 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik“.

Veprimet hetimore vazhduan dhe në lidhje me persona të cilët kanë furnizuar apo kanë bashkëpunuar për sigurimin e të dhënave të kartave bankare, nga ku rezultoi se këta shtetas kanë bashkëpunuar dhe me shtetasit:

E. H., 21 vjeç, E. Sh., 19 vjeç, Dh. T., 23 vjeç, M. M., 33 vjeç (shtetas i huaj) dhe S. S, 26 vjeç (shtetas i huaj). Të pestë këta shtetas po procedohen penalisht, pasi dyshohen si bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Gjithashtu, nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier u kontrolluan disa banesa dhe ambiente dhe me cilësinë e provës materiale u sekuestruan telefona celular, laptopë dhe dokumente, fatura të ndryshme bankare etj.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.


Shtuar 26.05.2021 10:08