Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski shprehet i habitur me qëndrimet e ASH-së për ta mbajtur në jetë këtë Qeveri. Madje Nikollovski thotë se më nuk po e njeh Taravarin, sepse siç shton, po i ndërron qëndrimet brenda një minute.
“Së pari, nuk mund të nxjerrim një përfundim nga deklaratat. Jo vetëm që i ndryshon çdo ditë, por në të njëjtën intervistë apo deklaratë, atë që thotë në minutën e parë, e mohon vetë në minutën e dytë ose të tretë. Një nga tezat më qesharake është se ai do të hyjë në qeveri për të siguruar një shumicë kushtetuese prej 80 deputetësh, kur të të gjithë janë të vetëdijshëm se një shumicë e tillë kushtetuese nuk ekziston. Unë mendoj se ai dëshiron të shkojë në qeveri për shkak të matematikës. Tani a është matematika byrek ose diçka tjetër duhet të përgjigjet vetë ai.”- deklaroi Aleksandar Nikollovski – Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Aleanca deklaratës së Nikollovskit iu përgjigj me një porosi, që të dalin nga balta që i ka futur Levica dhe të kthjellen e të reflektojnë.
“Nikollovskit dhe të tjerëve si ai u bëjmë thirrje të kthjellen dhe të reflektojnë, sepse lideri i opozitës maqedonase sipas sondazheve të organizatës IRI është Nikolla Gruevski. Kjo ndodh me meritë të partisë së pareformuar në ideologji dhe menaxhmentin kadrovik të saj dhe kjo është turp për skenën politike maqedonase. Ju jeni bashkëfajtor për izolimin e vendit për 10 vite duke bërë këtë vend të pajetueshëm dhe duke shpërngulur mbi 700.000 njerëz nga vendi. Retorika e juaj për fat të mirë ka shkuar në azil dhe me këtë qasje ju mbeteni një faktor destabilizues për Maqedonië e Veriut.”- thanë nga Aleanca për Shqiptarët.
As opozitarja shqiptare Lëvizja BESA nuk është pro inkuadrimit të ASh-së në shumicën parlamentare. E shohin si hap të gabueshëm dhe veprim për ta shpëtuar BDI-në.