Vidhnin viça në Greqi, prangosen 4 shqiptarë në kufirin e gjelbër

Katër shtetas shqiptarë kanë rënë në prangat e Policisë Kufitare të Qafë Botës, pasi akuzoheshin se kishin vjedhur disa viça në Greqi.

Sipas burimeve nga policia, ata po tentonin t’i kalonin bagëtitë nëpërmjet kufirit të gjelbër për në Shqipëri.

Të arrestuarit nga Policia Kufitare janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë, për veprime të mëtejshme, pasi akuzohen për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Njoftimi i policisë:

Intensifikohen kontrollet nga shërbimet e Policisë Kufitare, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Policia Kufitare e Qafë Botës kap në flagrancë 4 shtetas, që kishin vjedhur në Greqi disa krerë  bagëti të trasha, dhe po tentonin t’i kalonin nëpërmjet kufirit të gjelbër për në Shqipëri.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Botës, Sarandë, gjatë patrullimit në kufirin e gjelbër, në vendin e quajtur “Katajeto”, Bashkia Konispol, kanë bllokuar disa bagëti (viça), që katër shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, po i fusnin nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek, për në Shqipëri. Personat e kapur nga Policia Kufitare janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Në përfundim të veprimeve hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Sarandë, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, shtetasit F. D., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë; E. B., 38 vjeç, banues në fshatin Gjashtë; Xh. D., 23 vjeç, banues në fshatin Shëndelli, M. D., 50 vjeç, banues në Sarandë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shtuar 19.03.2022 10:29