Ministri i Brendshëm, Taulat Balla ka ndarë video nga momenti i arrestimit të 49-vjeçarit, i cili dyshohet se ka publikuar foton intime të 27-vjeçares që u vetëvra. Balla shkruan se ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line, duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt.
“Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e një shtetasje. I kam kërkuar Policisë së Shtetit të rrisim forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në të gjitha, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën! Gjithashtu ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line, duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt”, shkruan Balla.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme ku një 27-vjeçare është vetëvrarë duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt, pasi i kanë publikuar fotot intime në rrjetet sociale.
Një ditë më parë u raportua se e reja kishte rënë aksidentalisht, por tashmë ngjarja merr një tjetër kthesë. Sipas policisë, e reja i ka dhënë fund jetës për shkak të fotos që i është publikuar në rrjetet sociale.
Në pranga për këtë ngjarje ka rënë personazhi i njohur i TikTok-ut, Altin Çoku, i cili dyshohet se ia ka publikuar foton intime vajzës në rrjetet sociale. Kjo foto më pas ka qarkulluar edhe në rrjete të tjera, si në grupe Telegrami./albeu.com