VIDEO/ I shoqëruar nga forca të shumta policie, Vangjush Dako mbërrin në GJKKO

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako do të dalë ditën e sotme para Gjykatës së Posaçme.

Ai ka mbërritur në ambientet e GJKKO, i shoqëruar nga forca të shumta policie.

Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ku ish-kryebashkiaku do të njihet me masën e sigurisë.

Aktualisht Vangjush Dako po mbahet te Blloku i Sigurisë në rrugën “Mine Peza”.

Avokati i tij Petrit Ismaili, e ka cilësuar si të panevojshëm arrestin me burg, duke thënë se SPAK po përballet me një trysni nga ana e mediave dhe e ndërkombëtarëve.

Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku i Durrësit dhe zyrtarët e tjerë, akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në dy raste.

Rasti i parë ka të bëjë me një pallat që u nis 7 kate në 2010 dhe përfundoi 11 kate në 2014 dhe u dëmtua nga tërmeti në 2019. Për këtë u arrestua dhe ndërtuesi i pallatit Fiqiri Farruku. Për këtë rast akuzohen Vangjush Dako, Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit Adhurim Qehajaj. Arkitekti Ermal Lama, projektuesja Meri Semini topografët Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku.

Rasti i dytë ka të bëjë me një tender të datës 25 mars 2014 për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Për këtë akuzohen Vangjush Dako dhe grupi punës i përbërë nga, Adhurim Qehajaj, Diana Dedja, Adnan Toçila, anëtarë të cilët kanë patur si detyrë, përcaktimin e termave të referencës dhe fondin limit.

Fillimisht fondi limit i tenderit në fjalë ishte 21 milionë lekë, por për shkak se sipërfaqja e projektit, u ndryshua nga 2.04 hektarë në 20.4 hektarë, vlera arriti në 210 mln lekë./Albeu.com/

 


Shtuar 8.06.2023 09:49