VIDEO/ Hapet zyra e Kryetarit të Kuvendit, Kryeparlamentarja Spiropali pret studenten e xhubletës në zyrën e saj

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka pritur në një takim në zyrën e saj Mary Camajn, vajzën 22-vjeçare shqiptaro-amerikane, me origjinë nga Malësia e Madhe, e cila u diplomua me rezultate të shkëlqyera më 12 maj 2024, me një diplomë Master në Shkenca Politike në Columbia University.

Mary veshi ditën e diplomimit në Universitet xhubletën ikonike shqiptare, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve me zgjedhjen e saj.

Krahas videos me momente nga takimi, Spiropali shkruan për 22-vjeçaren se një pjesë të bekimit e solli edhe në zyrën e hapur të Kryetarit të Kuvendit.

“Mary Camaj është 22 vjeçe, ka lindur dhe është rritur në New York. Prindërit e saj janë nga Malësia e Madhe. Babai nga Hoti dhe nëna nga Kastrati.

Që në moshë të njomë, prindërit e kanë rritur me ndjesinë e thellë për trashëgiminë shqiptare. Më 12 maj 2024, u diplomua me një diplomë Master në Shkenca Politike në Columbia University”.

“Në shenjë nderimi për të parët e saj, veshi xhubletën ikonike në ceremoninë e diplomimit. Ka mbajtur kumtesa dhe ka bërë prezantime për historinë shqiptare, Kosovën, shqiptarët në Mal të Zi, shqiptarë të Greqisë etj. në universitetin prestigjioz ku studionte.

Në qershor të vitit 2023, Mary përmbushi një ëndërr të sajën duke interpretuar si valltare kryesore në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, pasi që 14 vjeç ajo bashkë me motrat janë pjesë e një grupi tradicional vallëzimi shqiptar në New York me emrin “Grupi Rozafati i Kishës Zoja e Shkodrës”.

Mary frymon, jeton, vallëzon, ëndërron, studion dhe punon shqip”, shkruan Spiropali.

Mary punon për ish-këshilltarin e qytetit të Nju-Jorkut dhe kryetarin e Këshillit Koordinues të Diasporës, Mark Gjonaj dhe ka bashkëpunuar me organizata të shumta shqiptaro-amerikane, ku koordinon projekte që shkojnë në të mirë të komunitetit tonë në SHBA.

Ajo kërkon më shumë shpërndarje dhe digjitalizim të studimeve nga shqiptarët dhe për shqiptarët, në mënyrë që të rinjtë tanë në Diasporë të mund të ushqehen intelektualisht dhe shpirtërisht me trashëgiminë tonë.

“Zoti më bekoi që në momentin që vendosi të më krijonte si një grua shqiptare.

Shpresoj që gjithçka që bëj në jetë të sjellë krenari për njerëzit nga vij”, tha Mary, e cila një pjesë të bekimit e solli edhe në zyrën e hapur të Kryetarit të Kuvendit”, përfundon postimin e saj Spiropali.


Shtuar 7.08.2024 17:50