Vetëm sanksionet ekonomike nuk do t’i japin fund luftës në Ukrainë

Nga Mariya Grinberg “National Interest”

Përktheu: Alket Goce- Albeu.com

Më 7 dhjetor, Komisioni Evropian propozoi një paketë të re sanksionesh, për ta detyruar Rusinë t’i japë fund pushtimit të saj në Ukrainë. Por pas 8 paketave të mëparshme të sanksioneve, kostot e regjimit të sanksioneve për Evropën po rriten.

Me afrimin e dimrit dhe rënien e temperaturave, por edhe si pasojë e drejtpërdrejtë e ndërprerjes së tregtisë me Rusinë, Evropa po përgatitet për ndërprerje të energjisë elektrike, mungesë të ndriçimit dhe ngrohjes, apo edhe ndërprerje të përkohshme të internetit dhe shërbimit celular.

Megjithatë lufta po vazhdon, teksa Rusia po e përshkallëzon konfliktin në një fushatë sulmesh raketore kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Në fakt, është natyra kolektive e sanksioneve – procesi i zhvillimit dhe i zbatimit të tyre – ajo që i jep mundësi Rusisë që të anashkalojë pasojat ekonomike me të këqija.

Secili nga anëtarët e koalicionit që ka vendosur sanksionet, përpiqet që të reduktojë

koston individuale nga ndërprerja e marrëdhënieve ekonomike me Rusinë. Kjo jo vetëm që e redukton efektivitetin e tyre por i siguron kohë Rusisë për t’u përshtatur me sanksionet e ardhshme, dhe i nxit kompanitë perëndimore të zgjerojnë tregtinë me Rusinë përpara se të vendosen sanksionet.

Për të kapërcyer këtë problem, disa ekspertë mund të sugjerojnë vendosjen e sanksioneve të dizajnuara më mirë ose më gjithëpërfshirëse, duke kërkuar izolimin e plotë ekonomik të Rusisë. Por zgjidhje të tilla vijnë me një kosto shumë më të lartë sesa përfitimet që mund të sjellin.

Së pari, përdorimi si një armë i institucioneve të sistemit ekonomik ndërkombëtar, sidomos  pa mbështetjen e aktorëve kryesorë ekonomikë, vjen me një kosto globale. Sepse faktet tregojnë se sistemi mund të përdoret për të dëmtuar një shtet individual, dhe i nxit të tjerët

të reduktojnë cënueshmërinë e tyre.

Së dyti, izolimi i plotë ekonomik i Rusisë – nëse Perëndimi do të ishte gati të paguante kostot e mëdha të zbatimit të një politike të tillë – do t’i degradonte aftësitë ushtarake ruse. Por nga ana tjetër, kjo do të nënkuptonte zhdukjen e aftësisë së një shteti të armatosur me armë bërthamore për të mbrojtur territorin e vet.

Prandaj lufta në Ukrainë nuk mund të përfundojë vetëm me mjete thjesht ekonomike. Sidomos për shkak se India dhe Kina, së bashku me shtetet e tjera më të vogla kyçe, nuk po i mbështesin sanksionet perëndimore ndaj Moskës. Vazhdimi i luftës ekonomike vetëm sa do të ndryshojë modelet e tregtisë globale, por nuk do t’i imponojë një kosto aq të lartë sa ta detyrojë Rusinë të braktisë pushtimin e saj në Ukrainë.

Në këto kushte, Perëndimi duhet të vazhdojë financimin e një lufte të kushtueshme dhe afatgjatë të Ukrainës, ose të kërkojë një zgjidhje diplomatike. Raundi më i fundit i sanksioneve perëndimore, dhe me gjasë çdo raund i mëpasshëm që synon të kufizojë aftësinë e Rusisë për të financuar luftën e saj, do të ketë një kosto të madhe ekonomike për Perëndimin.

Sepse çdo shtet perëndimor dëshiron sanksione që i imponojnë kosto të mëdha Rusisë, por me koston më të ulët të mundshme për veten. Kështu, Belgjika vazhdon të importojë diamante nga Rusia. Franca, Hungaria, Sllovakia dhe Finlanda vazhdojnë të importojnë lëndë djegëse bërthamore, ndërsa Greqia vazhdon të mbrojë të drejtën e saj për të importuar naftën ruse.

Edhe arritja kryesore e Evropës – “ndalimi” i importit të naftës ruse – nuk është në të vërtetë një ndalim i importit të gjithë naftës ruse. Pasi paketa e ndalon importin e naftës ruse nga deti, pra naftën e transportuar me cisterna. Por shtetet që e importojnë naftën ruse përmes tubacioneve, si Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, lejohen të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Po ashtu edhe Gjermania dhe Polonia. Këto dy shtete janë zotuar ta ndalin importin edhe përmes tubacioneve, por mbetet të shohim se si do të funksionojë.

Nërkohë, megjithëse Evropa votoi për ndalimin e importeve të naftës ruse më 3 qershor, kjo masë nuk hyri në fuqi deri më 5 dhjetor. Këto 6 muaj kohë i dhanë kompanive evropiane shansin që të gjenin furnizues alternativë. Por kjo nënkuptoi gjithashtu se edhe Rusia kishte kohë të gjente blerës alternativë për eksportet e saj.

Nga ana tjtër, problem është edhe fakti që sanksionet perëndimore ndaj Rusisë synohen

të kenë një tipar demonstrativ. Pra ato i thonë të gjithë vendeve të botës: “Nëse i thyeni rregullat e rendit ndërkombëtar, kundërpërgjigja do të jetë e shpejtë dhe e ashpër”. Por ky mesazh mund të lexohet në një mënyrë tjetër.

A mund të shërbejë si një “manual” për mbrojtjen e ekonomisë kombëtare nga sanksionet perëndimore. Sanksionet aktuale (dhe të ardhshme) zbulojnë se për çfarë nuk mund të bien dakord shtetet perëndimore, sa larg janë të gatshëm të shkojnë për një interes jetik të sigurisë, dhe më e rëndësishmja, çfarë nuk janë të gatshëm të bëjnë për një çështje me rëndësi themelore.

Tani agresorët e mundshëm do të kenë një panoramë shumë më të qartë se për çfarë të përgatiten nëse vendosin të nisin një sulm ushtarak. Për shkak të përpjekjeve ruse, ata gjithashtu kanë një kuptim më të qartë se si t’iu kundërvihen sanksioneve perëndimore.

Vetë Rusia përfitoi nga ky efekt, kur Perëndimi vendosi disa sanksione ndaj saj në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë, duke e përgatitur ekonominë e saj për sanksionet që do të pasonin pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti. Një pasojë tjetër e këtij efekti demonstrues dhe e përgatitjeve pasuese që bëjnë shtetet për të minimizuar dënimin, është dëmi i shkaktuar në sistemin ekonomik ndërkombëtar.

Ky sistem funksionon më mirë kur shtetet mund të presin sjellje të rregullta, pra që ndërveprimet e sotme mes shteteve të jenë të ngjashme edhe nesër. Por nëse dëmtohet besimi në institucionet thelbësore të rendit ekonomik, shtetet do të marrin masa për të mbrojtur veten e tyre dhe sistemi ekzistues nuk do të jetë më në gjendje të ofrojë të njëjtat përfitime.

Shtetet që kanë frikë se institucionet e armatosura do të kthehen kundër tyre nxiten të krijojnë institucione alternative që pakësojnë shumë efektet e dobishme të rrjetit të sistemit ekzistues të unifikuar. Për shembull, përpjekja e udhëhequr nga SHBA për të përjashtuar disa banka ruse nga sistemi SWIFT ka çuar në bashkëpunim midis Rusisë dhe Kinës dhe Indisë për të zhvilluar një sistem alternativ të pagesave ndërkombëtare.

Për të lehtësuar përfundimin e luftës në Ukrainë, Perëndimit do të kërkojë dhe gjejë mjete alternative. Në këtë pikë, diplomacia është mjeti më i mundshëm për të pasur sukses. Duke qenë se Rusia ka armë bërthamore, edhe një fitore vendimtare ushtarake nga Ukraina që i dëbon trupat ruse përtej kufirit nuk është një garanci për përfundimin e luftës.

Pasi Rusia mund të vazhdojë të bombardojë infrastrukturën ukrainase nga territori i saj.

Për më tepër, një sulm ukrainas në territorin rus do të mbartte rreziqe të konsiderueshme të hakmarrjes bërthamore. Tek e fundit, do të jetë Rusia ajo që do të vendosë se kur do të përfundojë lufta, duke e bërë të nevojshme diplomacinë.

Marrë me shkurtime

Shënim:Mariya Grinberg, asisistent/profesore e shkencave politike dhe anëtare e Programit të Studimeve të Sigurisë në Massachusets Institute of Technology, SHBA.