Venezia FC, klubi i ndërtuar mbi ujë që synon majën e futbollit italian

Shumica e klubeve festojnë titujt dhe promovimet në një kategori më lart, në një autobus të hapur. Në Venecia, ata e bëjnë atë në një gondolë. I zhytur në histori e kulturë, dhe i njohur globalisht për madhështinë e tij arkitektonike dhe rrugët ujore të dallueshme, qyteti italian normalisht nuk është i lidhur me klubin e tij të futbollit. Sidoqoftë, pas tri falimentimeve në 10 vjet – që e dërgoi klubin në nivelin e katërt të futbollit italian – kjo mund të ndryshojë këtë sezon. I promovuar në Serie A pas një mungese 19-vjeçare, Venezia FC është në rritje pas një periudhe të trazuar në historinë e klubit.

Me dhjetë futbollistë në ndeshjen e fundit të plejofit sezonin e shkuar ndaj Cittadellas, Venezia shënoi gol në minutën e 93-të, që vulosi fitoren dhe kthimin në Serie A. Kjo shkaktoi skena gëzimi mes lojtarëve dhe stafit në stadiumin “Pier Luigi Penzo”. Ndërsa, lojtarët këtë promovim nuk e festuan me autobus, por me një paradë varkash duke u shëtitur në kanalet e qytetit në një festë unike të arritjes së tyre.

“Kjo është mënyra se si klubi gjithmonë festonte”, tha drejtori i Venezias dhe ish-sulmuesi Paolo Poggi.

“Në 12 vjetët e fundit klubi kishte shumë probleme. Ne humbëm një brez të tërë tifozësh, ne humbëm shpirtin e klubit. Nuk ishte e lehtë. Për fat ne jemi akoma këtu, por mund të kishte qenë ndryshe”.

Festimet unike në rrugët ujore që ndoqën promovimin e Venezias përshkruajnë një klub të mbështetur me pasion, por që shumë lehtë mund të ishte zbehur nga ekzistenca. Fituesit e Kupës së Italisë të vitit 1941 u rrëzuan nga Serie A në vitin 2002 pas edicionit të tretë në katër vitet e fundit, dhe një periudhë e vështirë erdhi brenda natës, pasi pronari i atëhershëm, Maurizio Zamparini, e shiti klubin dhe mori 12 lojtarë – plus trajnerin – me vete në Palermo. Klubi do të duhej të fillonte përsëri në nivelin e katërt në 2005, 2009 dhe 2015, ndërsa doli në prag të shkatërrimit financiar.

Megjithatë, pas falimentimit të tretë në një dekadë, rilindja e erdhi si Venezia FC në tetor të vitit 2015 dhe do të hapte rrugën për tri promovime në gjashtë sezone. I shpëtuar nga investitori ambicioz amerikan Joe Tacopina, i cili angazhoi për trajner Filippo Inzaghin që siguroi promovime të njëpasnjëshme deri në Serie B. Klubi përfundoi shërimin e tij nën drejtimin e presidentit aktual dhe ish-shefit të Bursës së Nju Jorkut, Duncan Niederauer. Trajneri Paolo Zanetti që atëherë është shpërblyer për kontributin e tij me një kontratë të re deri në vitin 2025, pasi Venezia shpreson për një të ardhme më të sigurt.

“Unë kurrë nuk kam pasur rastin të luaj me klubin në Serie A, kështu që të jesh pjesë e tij tani do të thotë shumë për mua”, tha Poggi. “Qëllimi ynë tani është të bëjmë që klubi të njihet siç njihet qyteti në të gjithë botën. Ne luajmë në stadiumin e dytë më të vjetër në Itali, në një ishull dhe është diçka që është unike në botë”.

Poggi thotë se Venezia FC synon t’i bëjë tifozët krenarë me paraqitjet këtë edicion në Serie A dhe insiston se e ardhmja e klubit do të jetë e ndritur. Stadiumi “Pier Luigi Penzo”, shtëpia e nënvlerësuar e Venezia, aludon në udhëtimin e vështirë që klubi ka kaluar për të arritur në Serie A. Gjetur në buzë të ishullit kryesor të Venecias, kapaciteti i tij modest prej 7.400 ulëseve do të jetë më i vogli në Serie A.

Por, i rrethuar nga uji në të dy anët dhe i arritshëm vetëm me varkë ose një shëtitje nëpër qytetin e famshëm – i cili tërheq më shumë se 25 milionë turistë gjatë një viti normal – ai gjithashtu lë të kuptohet për potencialin e Venezias si një markë globale.

“Ndeshjet janë shumë të ndryshme në kuptimin që ne duhet të marrim një varkë për të shkuar në stadium”, tha sulmuesi skocez Harvey St Clair, i cili iu bashkua klubit në 2018 pas 12 vjetësh në Chelsea.

“Është një vend shumë unik për të luajtur ndeshjet tona dhe stadiumi ka shumë karakter. Ne parkojmë makinat tona dhe marrim një varkë të madhe të ekipit për në stadium”.

Venezia do të fillojë kampanjën në Serie A, të dielën, në udhëtim kundër Napolit. Ndërsa, për ndeshjen si vendase, tifozët duhet të presin deri më 22 shtator, kundër Spezias.

“Nëse mbështetësit janë aq të ngazëllyer sa ne, mendoj se do të jetë një festë e madhe. Shpresoj gjithashtu edhe për rezultate të mira”, tha Poggi.


Shtuar 22.08.2021 11:25