Vendet baltike i japin botës shembullin se si mbrohet liria dhe pavarësia

Nga John Pietro “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Nuk është e pashmangshme që shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë të jenë ndër mbrojtësit më të fuqishëm të lirisë në botë. Të pozicionuar midis pjesës kontinentale të Rusisë dhe enklavës ruse, Kaliningrad, lidhja e tyre e vetme e drejtpërdrejtë me aleatët e tyre të NATO-s është përmes hendekut të cënueshëm Suvalki.

Nga ana e saj, NATO ka në të treja vendet vetëm një numër të vogël forcash ushtarake. Në pamje të parë, mund të pritej që këto kombe të vogla (Lituania është më e madhja me 2.8 milionë banorë) të preferonin të mbanin një profil të ulët.

Përkundrazi ato janë bërë disa nga mbrojtësit më të zëshme dhe më të fuqishëm të mënyrës perëndimore të jetesës. Edhe pse shumë të vogla, vendet baltike kanë arritur që t’i bëjnë ballë dy armiqve më të mëdhenj të lirisë sot, Rusisë dhe Kinës. Në këtë mënyrë, ato kanë ofruar një model të qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë, i cili do të jetë i nevojshëm në rast se demokracitë do të përballen me sukses me listën e tyre në rritje të armiqve.

Lituania ka ofruar shembullin e parë. Në vitin 2021, Vilnius vendosi ta lejojë Tajvanin të hapë një përfaqësi diplomatike në vend dhe ta bëjë këtë me emrin “Tajvan” dhe jo me emrin “Taipei”, që cilësohet si një gjest më miqësor ndaj Kinës.

Zakonisht, zyrat e Tajvanit jashtë shtetit – të cilat janë misione diplomatike të ngjashme me ambasadat në vendet që e njohin Republikën Popullore të Kinës dhe jo Tajvanin – mbajnë emrin Taipei për të mos e zemëruar Pekinin. Për Partinë Komuniste Kineze, referimi i demokracisë ishullore me emrin e saj, i jep legjitimitet ekzistencës si një entitet i ndarë nga Kina.

Prandaj, Kina bëri çdo përpjekje për ta ndëshkuar Vilniusin për mëkatin e tij të pafalshëm – edhe pse Lituania i përmbahej ende “Politikës së Një Kine”. Pekini ndaloi importet dhe eksportet nga Lituania, dhe e bëri shumë të vështirë tregtinë e mallrave që kanë pjesë të prodhuara në Lituani.

Synimi ishte ta dobësonte vendosmërinë e Vilsniusit në qasjen e saj ndaj Tajvanit. Dhe në fillim u duk sikur lufta ekonomike mund të arrinte ta detyronte Lituaninë të ndryshonte qëndrim. Por Tajvani nxitoi t`i vijë në ndihmë mikut të saj të ri, duke blerë mallra që ishin të ndaluara të eksportoheshin në Kinë dhe duke kryer investime të reja në Lituani.

Ndërkohë Bashkimi Evropian ishte shumë i ngadaltë për t’i ardhur në ndihmë shtetit të saj anëtar, ndaj bllokada e Kinës i shkaktoi Lituanisë jo pak dëme ekonomike. Megjithatë më në fund Brukseli u rreshtua në krah të Lituanisë, duke nisur një sfidë në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër fushatës së presionit ekonomik të Kinës, e cila mori mbështetje nga SHBA, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore.

Vetë Shtetet e Bashkuara i dhanë Lituanisë 600 milionë dollarë në formën e një kredie eksporti. Në nëntorin e vitit të kaluar, Lituania hapi zyrën e saj diplomatike në Tajvan. Ajo e ka zgjeruar bashkëpunimin e saj me Taipein, duke nënshkruar marrëveshje të reja për të shtuar prodhimin e mikroçipave në Lituani.

Ndonëse suksesi i Vilniusit ka pasur pak jehonë në media për shkak të ngjarjeve më të mëdha që po ndodhin në Evropën Lindore, mesazhi që dërgoi ishte i fuqishëm, mbi të gjitha se si një vend kaq i vogël i ishte kundërvënë një prej fuqive autoritare më të mëdha në botë, duke pasur sukses.

Vendet e tjera baltike e kanë treguar veten po aq të vendosura dhe të forta. Në kundërpërgjigje të bllokadës ekonomike të Kinës, Lituania u tërhoq nga nismat kryesore ekonomike të Pekinit në rajon, 17+1 (emri i saj zyrtar Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore).

Në gushtin e vitit të kaluar, nga kjo nismë do të tërhiqeshin edhe Estonia dhe Letonia, duke u bashkuar me aleatin e tyre. Të treja vendet kanë qenë mbështetëset më të qëndrueshme dhe më të fuqishme të Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus.

Vendet baltike kërkuan dërgimin e armëve në Kiev shumë kohë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në shkurt 2022, madje duke u përplasur me Gjermaninë në lidhje me dërgimin e topave të tyre obuzë të prodhuar në Gjermani. Të gjithë këto vende kanë qenë kundër ushtrimit të presionit ndaj Ukrainës për arritjen e një zgjidhje të parakohshme të konfliktit.

Gjithashtu që nga fillimi i luftës, Estonia, Letonia dhe Lituania kanë ofruar një nga shumat më të mëdha të ndihmës për Kievin në raport me PBB-në e tyre. Në dallim nga shumë vende evropiane, ato e dëgjuan të parët thirrjen e dëshpëruar të Ukrainës për ta ndihmuar me sa më shumë armë dhe municione.

Premtimi i Talinit i shpallur së fundmi e vazhdoi këtë prirje. Megjithëse shifrat e ndihmës duken të vogla në krahasim me atë që ka dhënë SHBA, në kontekstin e madhësisë së vendeve baltike, ato janë të mëdha. Ndërkohë, shtetet baltike kanë bashkëpunuar gjerësisht në mbrojtje, duke njohur si sfidat e tyre të përbashkëta po ashtu edhe dobësitë individuale.

Në fillim të janarit, Estonia urdhëroi që misioni diplomatik i Rusisë në vend të shkurtonte stafin e saj në një shifër të barabartë me atë të Estonisë në Rusi. Moska u hakmor duke urdhëruar largimin e ambasadorit të Estonisë dhe Estonia më pas bëri të njëjtën gjë.

Edhe pse nuk ishte e përfshirë në atë mosmarrëveshje, Letonia e urdhëroi ambasadorin rus të largohej nga Riga në shenjë mbështetje për fqinjin e saj. Nga ana e saj, Lituania e kishte bërë tashmë këtë gjë që në prill 2022 me dëshirën e saj. Sikur NATO dhe Perëndimi të ishin kaq bashkëpunues dhe të qëndrueshëm!

Në vend të kësaj, dështimet që nga rezistenca e Berlinit kundër dërgesave të armëve në Ukrainë, dhe deri tek apeli i Parisit për t’i dhënë Putinit një rrugëdalja nga qorrsokaku ku e ka futur veten, duket se janë zhurma e vazhdueshme në këtë sfond.

Po çfarë i motivon dhe i lejon shtetet baltike të veprojnë ashtu siç kanë bërë? Së pari, është historia: të tria vendet kanë vuajtur jo pak nën pushtimin sovjetik deri në rënien e komunizmit në Evropë. Ato ishin disa nga vendet e pakta ku edhe Mikhail Gorbachev ishte i gatshëm ta përdorte dhunën për të shtypur lëvizjet për pavarësi.

Demokracia dhe sovraniteti kanë një kuptim thellësisht domethënës për Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë. Po ashtu, këto vende kanë fatin e keq të jenë fqinje me ish-kolonizuesin e tyre, dhe veçanërisht në rastet e Estonisë dhe Letonisë, të kenë një pakicë të konsiderueshme ruse.

Të kesh vullnet mund të jetë një gjë, por me shumë rëndësi është edhe mjedisi. Thënë thjesht, vendet baltike siç janë sot nuk do të ekzistonin dot pa sistemin global të udhëhequr nga SHBA. Evropa – sikurse e ka ilustruar me kaq lehtësi Gjermania – është mjerisht e pavendosur dhe e keq-pajisur për t’u përballur me kërcënimet edhe në oborrin e saj.

Nëse vendet baltike nuk do të ishin pjesë e NATO-s, sipas të gjitha gjasave Putini do t’i kishte pushtuar të parat. Dhe nëse SHBA-ja nuk do të tregonte respektin për paprekshmërinë e kufijve shtetërorë dhe sovranitetit, tre vendet e vogla nuk mund të bënin shumë për të ruajtur pavarësinë e tyre.

Në mesin e mbrojtësve të lirisë që janë të gatshëm t’i vënë paratë e tyre aty ku janë, shtetet baltike janë në nivelin më të lartë. Në rast se çdo vend perëndimor do ta merrte po aq seriozisht sa vendet baltike ruajtjen e lirisë, bota do të ishte një vend shumë më i sigurt. Ndoshta ka ardhur koha t’i kushtojmë vëmendje shembullit të tyre. /albeu.com


Shtuar 31.01.2023 10:39