Veliaj mbërrin në GJKKO, pritet nga punonjësit e Bashkisë (VIDEO)

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili u arrestua me urdhër të SPAK mesditën e 10 Shkurtit, ka mbërritur në GJKKO për rivlerësimin e masës së sigurisë.

Dhjetëra mbështetës të Erion Veliajt dhe punonjës të bashkisë së Tiranë, janë grumbulluar pranë GJKKO-së, ku pritet verifikimi i masës së sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës.

Në ambientet e jashtme të GJKKO-së, punonjës të bashkisë kanë pritur me duartrokitje dhe brohoritje Erion Veliajn.

Rreth orës 8:15 ka mbërritur para Gjykatës së Posaçme edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa për të cilën është caktuar masa arrest shtëpie.

Mbështetësit e kanë pritur veliajn me brohoritje: “Lali…Lali, forca lali“.
Për verifikim mase do të paraqitet edhe biznesmeni i arrestuar Elman Abule, si edhe 5 biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, për të cilët është caktuar masa detyrim paraqitjeje.

Veliaj akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ndaj biznesmenit Abule rëndon akuza e pastrimit të parave, ndërsa për 5 të tjerët vetëm ajo e korrupsionit aktiv. Prokurorë të dosjes janë Olsi Dado dhe Altin Dumani, ndërsa gjyqtar Erion Bani.

Sipas akuzës së ngritur nga SPAK, Veliaj dyshohet krijoi një skemë korruptive, mes kompanive të bashkëshortes dhe 6 biznesmenë pranë tij.

Pamje nga GJKKO, punonjës të bashkisë së Tiranës dhe militantët socialistë dalin protestojnë.

 


Shtuar 12.02.2025 08:44