Uzuni shënon përsëri, tani është golashënuesi i tretë më i mirë në Hungari

Myrto Uzuni po përjeton sezonin më të mirë të karrierës së tij sa i përket realizimit të golave dhe këtë e tregojnë shifrat që po regjistron sulmuesi i përfaqësueses shqiptare në radhët e Ferencvaroshit. Lojtari ka gjetur edhe sot rrugën e rrjetës, duke çuar në 10 numrin e golave të shënuar në këtë edicion në elitën e futbollit në këtë vend.

Në ndeshjen e sotme të Ferencvaroshit kundër Budafoki, Uzuni u bë protagonist duke i hapur rrugën suksesit 4-0 të skuadrës së tij. Sulmuesi shqiptar fitoi një penallti në fillimin e pjesës së dytë të cilën më pas e transformoi vetë saktësisht, për t’i dhënë avantazhin Ferencvaroshit. Pak minuta më vonë, lojtari i cili u ndëshkua me karton të verdhë pasi shkaktoi atë penallti, u ndëshkua me të kuq e gjithçka u bë e lehtë për Ferencvaroshin i cili shënoi edhe tre herë të tjera dhe mbylli ndeshjen me fitoren 4-0, duke vazhduar shkëputjen në kreun e renditjes në kampionat që duket praktikisht i mbyllur që tani.

Sa i përket Uzunit, ai arriti në kuotën e 10 golave në atë që është sezoni më i mirë sa i përket gjetjes së rrjetës në karrierën e tij. Si kënaqësi personale për Uzunin është se që në vitin e tij të parë në kampionatin hungarez, e sheh veten mes protagonistëve kryesorë, pasi me këto 10 gola të shënuar, është sulmuesi i tretë më i mirë në kampionat.

Shtuar 4.04.2021 07:04

Tags: ,