Ushtria izraelite bën thirrje që civilët të evakuohen nga Gaza, autoritetet shpërfillin lajmërimin: Mos ikni!

Zyra e shtypit e qeverisë së Hamasit në Gaza u bëri thirrje sot banorëve që të shpërfillin paralajmërimin e Izraelit për të zhvendosur të gjithë popullsinë e pjesës veriore të Rripit në zonat jugore.

Salama Marouf, kreu i zyrës së shtypit të Hamasit në Gaza, tha se paralajmërimi për të evakuuar popullsinë ishte një përpjekje e Izraelit “për të transmetuar dhe për të kaluar propagandë të rreme, që synon të mbjellë konfuzion midis banorëve dhe të dëmtojë kohezionin e brendshëm përpara nesh”.

Ai shtoi: “U bëjmë thirrje qytetarëve tanë që të mos përfshihen në këto përpjekje, të cilat janë intensifikuar në kontekstin e luftës psikologjike.”

Izraeli tha se ka hedhur 6,000 bomba, me peshë 4,000 tonë, në objektivat e Hamasit në Gaza gjatë gjashtë ditëve.

Forcat ajrore izraelite thanë se sulmet ajrore kanë goditur më shumë se 3,600 objektiva.

Çfarë ka thënë Izraeli

Ushtria izraelite i ka thënë OKB-së se të gjithë që jetojnë në veri të Wadi Gazës duhet të zhvendosen në jug të Gazës në 24 orët e ardhshme, thotë një zëdhënës i OKB-së, raporton BBC. 

OKB thotë se bëhet fjalë për rreth 1.1 milion persona, rreth gjysma e popullsisë së të gjithë Rripit të Gazës. Zona e prekur përfshin qytetin e Gazës me popullsi të dendur.

Alarmi është dhënë pak para mesnatës, me kohën lokale të Gazës dhe Jerusalemit (23:00 GMT).

Kombet e Bashkuara e konsiderojnë të pamundur që një lëvizje e tillë të ndodhë pa pasoja shkatërruese humanitare, tha OKB në një deklaratë.

Izraeli është duke u përgatitur për një ofensivë tokësore, duke mbledhur ushtarë, artileri të rëndë dhe tanke në kufirin e Gazës. Ajo ka nisur sulmet ajrore në Gaza që nga e shtuna pas sulmit të befasishëm të militantëve të Hamasit ndaj Izraelit./Albeu.com

 


Shtuar 13.10.2023 08:11

Tags: , ,