Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Bllokimi i gazetarëve në Kapshticë, thyerje e normave të BE-së

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron bllokimin e reporterëve dhe operatorëve të mediave të Shqipërisë në pikën kufitare të Kapshticës, ditën e djeshme, thyerje të normave të BE-së për qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe sidomos të gazetarëve.

Në njoftimin për shtyp, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë thekson se “mbajtja në pengim për rreth tre orë, në pikën kufitare e një grupi reporterësh dhe operatorësh të mediave kryesore të Shqipërisë, përbën një akt të papranueshëm kundër rregullave dhe normave bilaterale dhe komunitare”.
“Pretendimi i punonjësve të kontrollit kufitar, nga pala greke, se nevojitet një notë verbale nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, pranë ministrisë homologe greke, është thjesht një truk burokratik dhe shkakton ripërsëritjen e një precedenti të ngjashëm me periudha të shkuara. Pengimi i grupit të gazetarëve nga Shqipëria po shënohet si akt i hidhur i ndodhur shpesh në të shkuarën. UGSH u drejtohet organizatave simotra në Greqi dhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve me apelin që këtë rast ta denoncojnë dhe të rikthejnë vëmendjen ndaj disa sjelljeve të përsëritura të autoriteteve greke ndaj gazetarëve shqiptarë, përmes të cilave dëshmohet se disa prej tyre janë të shenjuar si ” të padëshirueshëm” për disa institucione, ndërkohë që ende ka kolegë që mbeten të shpallur ” non grata” zyrtarisht. Akte dhe praktika të tilla ndaj gazetarëve dëmtojnë fqinjësinë, parimet, rregullat e marrëdhënieve mes dy vendeve që i përkasin BE- së dhe lirive themelore”, thekson në deklaratën për mediet Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.


Shtuar 3.11.2024 11:34