UNESCO nuk do ta përfshijë Venecian në monumentet e rrezikuara

Venecia nuk do të përfshihet në listën e vendeve të Trashëgimisë Botërore në rrezik, vendosi të enjten një mbledhje e Komitetit të Trashëgimisë Botërore të OKB-së, në kundërshtim me rekomandimet e mëparshme të ekspertëve të UNESCO -s .

Në fund të korrikut, Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s kishte propozuar përfshirjen e qytetit italian në listën specifike, duke përmendur “masat e pamjaftueshme” për të luftuar degradimin e zonës, veçanërisht për shkak të turizmit masiv dhe ndryshimeve klimatike.

“Zhvillimi i mëtejshëm i Venecias, efektet e ndryshimit të klimës dhe turizmit masiv kërcënojnë të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme në vlerën e jashtëzakonshme globale të vendit,” theksoi Qendra në raportin e saj.

Qyteti italian, i cili është ndërtuar në një grup prej 118 ishujsh të vegjël të ndarë me kanale dhe të lidhur me ura, u themelua në shekullin e 5-të dhe u shfaq si një fuqi e madhe detare në shekullin e 10-të, sipas UNESCO-s.

Venecia u shtua në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në vitin 1987 dhe është një nga qytetet më të vizituara në botë. Në periudhat e pikut, 100,000 turistë kalojnë natën atje, përveç dhjetëra mijëra vizitorëve që e vizitojnë çdo ditë. Ndërkohë rreth 50 mijë banorë jetojnë në qendër të qytetit, i cili gradualisht po shkretohet. Kohët e fundit, në fakt, shtretërit në dispozicion për turistët tejkaluan banorët e përhershëm të qytetit.


Shtuar 14.09.2023 19:57

Tags: