“Ulni gjakrat”, Kosova i përgjigjet Ramës: Kur dikush të kërcënon vëllanë, duhet t’ia mbyllësh gojën!

Pas thirrjes së kryeministrit Rama për të ulur gjakrat në veri të Kosovës, Arbër Zaimi, këshilltar i kryeministrit Kurti i është përgjigjur kreut të qeverisë.

Përmes një postimi në Facebook, Zaimi shkruan se detyra e Ramës është të mbrojë vëllanë e tij, Kurtin përballë kërcënimeve dhe jo të transmetojë kërcënimet e Aleksandër Vuçiç.

Arbër Zaimi: Transmetuesi i kërcënimeve qenka roli i ri i liderit të B. të Hapur. Kur dikush flet me ty e të kërcënon vëllain, detyra jote është t’ia mbyllësh gojën. Mos u bëj përçues e korrier për të. Ata që thonë “paguani për paqen” harrojnë se çfarëdo që t’u japësh shovinistëve, ata nuk do të ndalen, pas një kohe prapë do të bëjnë trazira. Zgjidhje e vetme është izolimi i shovinistëve dhe demillosheviçizimi i Serbisë. Jo përkëdhelja e tyre.

Rama përmes një postimi në Twitter i kërkoi Kurtit dhe vuçiçit që të ulin gjakrat dhe paralajmëroi rikthimin e marrëdhënieve të akullta Shqipëri-Serbi.

Në veçanti Albin Kurtit i kërkoi që të dalë nga vetëizolimi, siç e quan Rama dhe mos e humbë veriun.

Si u tensionua situata në Veri?

Situata u përkeqësua më 14 qershor pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”./Albeu.com/


Shtuar 19.06.2023 12:26