Një tregtar armësh dhe aparatesh aspiratore, ka ndërruar jetë në Shqipëri. Bëhet fjalë për 73-vjeçarin Andrzej Izdebski, me shtetësi polake, trupi i të cilit është gjetur i pajetë një muaj më parë në Tiranë.
Informacioni i parë jozyrtar për vdekjen e Andrzej Izdebski u shfaq më 19 korrik, ku sipas mediave bëhet me dije se në Tiranë është lëshuar një certifikatë vdekjeje për një mashkull dhe më pas u raportua se trupi i Andrzej I. nuk ishte transportuar ende në Poloni.
Njoftimi i vdekjes është konfirmuar nga mediet polake përmes burimeve në Shqipëri dhe Europol.
Në atë kohë policia e Tiranës informoi se një shtetas polak ishte gjetur pa shenja jete në një banesë që kishte marrë me qira në bulevardin “Bajram Curri”, duke mos e identifikuar viktimën por duke dhënë vetëm inicialet e polakut.
“Më datë 20.06.2022, në bulevardin “Bajram Curri”, në një banesë të marrë me qira, është gjetur pa shenja jete, shtetasi polak A. H., 73 vjeç. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune”, njoftuan autoritetet policore.
Mediat polake ndërkohë raportojnë se Izdebski u largua nga Polonia në fund të vitit 2020. Një vit më parë, u zbulua se Ministria e Shëndetësisë kishte blerë mbi një mijë respiratorë, duke shpenzuar 200 milionë PLN(rreth 42 milion euro).
Në atë kohë rezultoi se respiratorët ishin blerë nga një kompani e cila drejtohej nga një tregtar armësh.
Për më tepër, rezultoi se pajisjet nuk kishin dokumentacionin e duhur, megjithëse 154 milionë PLN (rreth 32.6 mijë euro) kishin kaluar tashëm në llogarinë e tregtarit.
Pas skandalit, Izdebski nuk u ndalua të largohej nga vendi çka bëri që ai të zhdukej duke përfunduar kështu në Shqipëri.
“Zyra e Doganave dhe Taksave të Lublinit, me të cilën po hetojmë, ka vërtetuar se i dyshuari është larguar nga Polonia me rrugë ajrore në dhjetor 2020 dhe pas kësaj kohe nuk ka asnjë gjurmë të hyrjes së tij në vend”, tha prokurori Bartosz Ëójcik.
Për të u lëshua urdhër arresti vetëm më 21 mars 2022, ndërsa për më shumë se një vit ai ishte në gjendje të udhëtonte lirshëm nëpër botë dhe të bënte biznes.