U vetëhelmua para SPAK- ut, ndërron jetë në spital 63-vjeçari nga Lezha

Mëngjesin e sotëm, 63-vjeçari Pal Trashaj, i cili mesditën e djeshme piu f*toksinë para prokurorisë së SPAK, ka ndërruar jetë. Trashaj ishte viktimë e skemës së mashtrimit financiar, me mikrokreditë që ka prekur një numër shumë të lartë qytetarësh në Shqipëri.

Burime nga QSUT, bënë me dije se ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm. Ai kishte shkuar për të takuar një hetues të BKH-së në SPAK, tha Prokuroria e Posacme.

63-vjeçari i cili njihej si historian në qytetin e tij, dhe ka mbajtur dhe postin e PD-së në këtë qytet, 2007 – 2009, prej vitesh ka denoncuar kalvarin me kredinë e marrë që më pas ndër vite, u shumëfishua deri në bllokimin e pasurisë.

Mësohet se Pal Trashaj, kishte pasur një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 760 mijë lekë të vjetra (76 mijë lekë të reja). Kredinë e Pal Trashajt e kishte blerë MCA, e cila kërkonte 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte.

Trashaj kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij nga përmbarues, për të cilët më herët kishte bërë një padi civile në Gjykatën e Lezhës. Ai pretendonte se kredinë e kishte shlyer dhe se veprimet e kryera për sekuestrimin e pronës së tij ishin të paligjshme.


Shtuar 3.07.2024 08:29