U shty nga Xhelal Mziu, reagon Ekonomi: Sjellje e papranueshme, po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik

Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi ka reaguar pas një incidenti në korridoret e Kuvendit, ku është shtyrë nga deputeti i PD, Xhelal Mziu. Ekonomi thotë se shprehet e keqardhur për nivelin ku, sipas saj, kanë degraduar deputetët e opozitës. Ajo thtoë se kjo sjellje e papranueshme, që po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese.

“E keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës. Agjenda e dhunës që po përpiqen ta imponojnë edhe në Kuvendin e Shqipërisë po kalon çdo kufi. Kjo sjellje e papranueshme, që po tejkalon në dhunë e kërcënim fizik po bëhet çdo ditë e më tepër shqetësuese.

Personalisht, ndjej detyrim të reagoj jo vetëm pse isha pjesë e kësaj situate konfrontuese, por edhe si deputete që ka zgjedhur të ushtrojë mandatin e deputetes konform rregullave dhe obligimit që kemi ndaj zgjedhësve tanë.

Asnjëherë nuk është vonë për t’ju kthyer arsyes dhe normalitetit, dhe shpresoj që deputetët e opozitës të kuptojnë që kjo formë e të bërit opozitë duhet të marrë fund njeherë e mirë në Shqipëri, ku problemet individuale tentohen të kthehen në kriza institucionale që pengojnë Shqipërinë në aspiratat intergruese në Bashkimin Europian”, shkruan Milva Ekonomi.


Shtuar 9.10.2024 17:35