U lanë në burg, dalin fotot e dy shokëve të Aldi Ramës që vrau nënkomisarin në Lezhë (FOTO LAJM)

Ditën e sotme gjykata ka lënë në burg dy të rinjtë, Kristian Sheri dhe Armando Marku, dy shokët e e 21-vjeçarit Aldi Rama i cili i mori jetën nënkomisarit të Lezhës Saimir Hoxha.

Trupa gjykuese dha masën sot “arrest me burg pa afat” për të dy.

Avokati i tyre, Gjon Huli tha para mediave se ata nuk kanë kryer asnjë vepër penale, pasi i janë bindur policisë.

Madje, sipas tij, ata e ndihmuan policinë për të vënë në ambulancë të plagosurin, Saimir Hoxha, i cili ndërroi jetë më vonë.

DINAMIKA E VRASJES:

Është zbardhur dinamika e ngjarjes së rëndë në Lezhë ku mbeti i vrarë nënkomisari Saimir Hoxha me një plumb në zemër.

Autori i krimit të rëndë, Aldi Rama u zhduk për orë të tëra në pyjet e zonës dhe në fund vendosi të qëllojë me të njëjtën armë mbi veten.

Forcat RENEA e gjetën atë të plagosur dhe në gjendje të rëndë, por fatmirësisht kishte shenja jete.

Tashmë ai është transportuar drejt spitalit ku po merr ndihmën e parë ndërkohë gjendja shëndetësore raportohet e rëndë.

Sipas burimeve bëhet me dije se efektivët kishin dalë në terren për të kontrolluar një zonë ku ishte denoncuar se ishte mbjellë një parcel kanabisi.

Me të marrë informacionin e parë, Policia e Lezhës nisi menjëherë për verifikim një grup me 3 persona, mes tyre: shefi i krimeve, viktima dhe një koleg tjetër.

Pas dy orë kërkimesh, Policia arriti që të gjente parcelën me 110 bimë me kanabis, duke i shkatërruar të gjitha bimët, sipas gazetares Klodiana Lala.

Pak pasi do të ktheheshin drejt komisariatit, policia ka ndaluar një automjet dhe i ka bërë thirrje që të ndalonte.

Brenda mjetit mësohet se kanë qenë 3 persona, Armando Marku, Kristian Sheri dhe Aldi Rama, ky i fundit autori i dyshuar i ngjarjes.  Në momentin e ndalimit, makinën po e drejtonte Armando Marku.

Pasi mjeti ka ndaluar, oficeri i ndjerë ka tentuar që të ndalojë Aldi Ramën

“Ndalo! Unë jam punonjës i policisë dhe dua që të identifikohesh,”-mësohet se ka thënë viktima. Por në atë moment ai nuk është ndalur, por ka qëlluar në zemër efektivin, duke i marrë atij jetën./albeu.com/