U demaskua nga “Piranjat” si pedofil, Prizreni mbushet me grafite pas arrestimit të ish-mësuesit (FOTO LAJM)

Policia e Kosovës ka arrestuar Fazli Kikajn, 76-vjeçarin nga Prizreni, i cili u demaskua pak ditë më parë nga emisioni “Piranjat” në ABC si pedofil. Kaq ka mjaftuar që një reagim i fortë të vijë nga qyetarët e Prizrenit të cilët kanë mbushur muret me grafite kundër pedofilisë.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist që qëndron mbrapa këtyre grafiteve, thotë se lajmet e fundit që zbulojnë një mësimdhënës pedofil, përveç tronditëse, po tregojnë çdo herë që dhuna ndaj vajzave e grave është duke ndodhur kudo e kurdo.

Grafitet e shkruara në mure shkollash e hapësira tjera publike në Prizren, Kolektivi thotë se shprehin revoltën ndaj cenueshmërisë së vajzave dhe grave dhe kulturës së amnistimit të dhunës me bazë gjinore.

“Dhuna ndaj vajzave e grave në shkolla, familje, punë e rrugë nuk është incident periferik, është sinjal i një sistemi të kalbur i cili mbahet përmes dhunës së gjinizuar. Nga Prizreni ne thërrasim për reagim kolektiv ndaj dhunës me bazë gjinore, ndëshkim për kriminelët e solidaritet me të gjitha vajzat e gratë. Nga këtu ne insistojmë se siguria e liria e asnjërës prej nesh nuk ka kuptim pa lirinë e gjithësecilës prej nesh”, përfundon njoftimi.

Në puntatën e parë të emisionit, “Piranjat” demaskuan ish-mësuesin Fazli Kikaj, i cili i kërkoi marrëdhënie seksuale një vajze të mitur nga Shqipëria në rrjete sociale pavarësisht se ajo i tha disa herë se ishte vetëm 15 vjeç.

Më pas, “Piranjat” inskenuan një udhëtim me klasën të vajzës 15-vjeçare të quajtur “Kejsi” për në Prizren, e cila në fakt ishte gazetarja e emisionit, ku edhe u takua me Fazli Kikën, i cili më parë i kishte kërkuar marrëdhënie seksuale duke i dërguar vazhdimisht video me përmbajtje pornografike si edhe foto të organit të tij gjenital./abcnews.al/


Shtuar 29.04.2022 10:22