Turqia: Ukraina dhe Rusia janë afër marrëveshjes për çështjet “kritike”

 

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha më 20 mars se Ukraina dhe Rusia janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për çështje “kritike” dhe shtoi se ai shpresonte për një armëpushim, nëse të dy palët nuk tërhiqen nga përparimi i arritur deri më tani.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe presidenti rus, Vladimir Putin, e quajti “operacion të posaçëm ushtarak”, që siç tha, ka për qëllim çarmatimin e Ukrainës dhe pastrimin e shtetit nga “nacionalistët e rrezikshëm”. Por, Perëndimi dhe Ukraina kanë thënë se Putini ka nisur një luftë të paprovokuar.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, dhe ai rus, Sergei Lavrov, janë takuar në Antali të Turqisë më herët gjatë këtij muaji. Por, diskutimet nuk kanë dhënë ende ndonjë rezultat konkret.

Por, Cavusoglu, që kishte qenë i pranishëm në bisedimet mes kryediplomatëve rusë dhe ukrainas, tha për të përditshme turke, Hurriyet se ka pasur “afrim të pozicioneve të të dyja palëve për tema të rëndësishme, për tema kritike”.

“Ne mund të themi se kemi shpresë për një armëpushim, nëse të dyja palët nuk bëjnë hapa prapa nga pozicionet aktuale”, tha ai, duke mos dhënë detaje për cilat çështje bëhet fjalë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin, tha për televizionin al Jazeera, se të dy palët kanë përafruar qëndrimet në katër çështje kyçe. Ai përmendi kërkesat ruse për Ukrainën që janë për të hequr dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO, çmilitarizimi, atë që Rusia e ka quajtur “denazifikim” dhe mbrojtjen e gjuhës ruse në Ukrainë.

Ukraina dhe Perëndimi kanë hedhur poshtë referencat ruse për “neo-nazistë” kur i referohet lidershipit ukrainas të zgjedhur në mënyrë demokratike. Kalin tha se referenca të tilla janë fyese për Kievin.

Kievi dhe Moska kanë raportuar se kanë arritur progres gjatë bisedimeve javën e kaluar lidhur me formulën që do të garantonte sigurinë e Ukrainës, duke mbajtur jashtë NATO-n.

Kalin tha se një marrëveshje e përhershme armëpushimi mund të arrihet vetëm në një takim midis Putinit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Por, ai tha se Putini mendon se pozicionet në “çështjet strategjike” për Krimenë dhe Donbasin nuk janë aq të përafruara sa të mbahet një takim.

Rusia e ka aneksuar më 2014 Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës, në luftën kundër forcave ukrainase.

Turqia, që ndan kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë, ka raporte të mira me dy shtetet dhe po tenton të ndërmjetësojë bisedimet e paqes.

Turqia ka shprehur mbështetjen për Ukrainën, por ka refuzuar që të aplikojë sanksionet e Perëndimit ndaj Moskës./REL


Shtuar 20.03.2022 11:29