Dy shtetase janë proceduar penalisht nga Policia e Gjirokastrës, ndërsa dyshohet se shisnin medikamente mjekësore kontrabandë. Të proceduarat janë I. S., 37 vjeçe dhe N. A., 44 vjeçe, të dyja banuese në Gjirokastër.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Medicines”, për goditjen e kontrabandës së mallrave. Mbanin dhe tregtonin medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, procedohen penalisht 2 shtetase. Sekuestrohen medikamentet mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se dy shtetase posedonin sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Medicines”, si rezultat i të cilit nisi procedimi penal për shtetaset:
– I. S., 37 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”. Gjatë kontrollit në automjetin e kësaj shtetaseje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat kjo shtetase i shiste në farmacinë e saj;
– N. A., 44 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprën penale “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”. Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin (dyqanin) në pronësi të kësaj shtetaseje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat kjo shtetase i shiste në këtë dyqan.
Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.