Andy Burnham po rikthehet në skenën parlamentare britanike, pasi fitoi zgjedhjet e pjesshme në Makerfield dhe siguroi sërish një vend në Westminster. Ai mposhti kandidatin e Reform UK, i cili doli i dyti, me një diferencë prej më shumë se 9 mijë votash.
Me këtë rezultat, Burnham jo vetëm që u kthye në Parlament, por edhe rriti mbështetjen për Partinë Laburiste në zonë, duke e çuar përqindjen e votave nga 45% në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024 në rreth 55%.
Të lidhura
None found
Ky rikthim ka peshë të veçantë politike, pasi për të hyrë në garën për drejtimin e partisë, një kandidat duhet të jetë deputet. Përpara zgjedhjeve të pjesshme, Burnham kishte deklaruar se do të futej në çdo garë të mundshme për lidershipin për të sfiduar kryeministrin Sir Keir Starmer, nëse do të fitonte një mandat parlamentar.
Emri i tij nuk është i ri në betejat për drejtimin e Partisë Laburiste në Britani. Më shumë se dhjetë vjet më parë, ai provoi dy herë të marrë drejtimin e partisë, por nuk ia doli.
Sot, një numër i madh deputetësh laburistë e shohin Burnham si një figurë që mund të ndihmojë partinë të ringrihet, pas disa muajsh të dobët në sondazhe dhe rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet e majit.
I lindur në Liverpool në vitin 1970, Andy Burnham u rrit në Culcheth, një fshat pranë Warrington. Ai vjen nga një familje me bindje të forta laburiste: i ati ishte inxhinier në BT, ndërsa e ëma punonte si recepsioniste mjekësore.
Vetë Burnham ka treguar se interesi për politikën i lindi që në moshën 14-vjeçare, nën ndikimin e dramës televizive të BBC-së “Boys from the Blackstuff”, e cila trajtonte realitetin social dhe ekonomik të Liverpoolit.
Përveç politikës, ai ka pasur gjithmonë një lidhje të fortë me sportin. Burnham është tifoz i përhershëm i Evertonit dhe gjatë viteve të shkollës luante kriket për ekipin e Lancashire.
Studimet e larta i kreu për anglisht në Universitetin e Kembrixhit, ndërsa më pas e nisi jetën profesionale në gazetari, përpara se të hynte në politikë.
Në hapat e parë të karrierës së tij politike, ai shërbeu si studiues për ish-deputeten Tessa Jowell, e cila më vonë mbajti poste ministrore në qeveritë e Tony Blair dhe Gordon Brown.
Në vitin 2001, Burnham u zgjodh deputet për Leigh. Më vonë ai mbajti disa poste ministrore në qeveritë laburiste, mes tyre atë të sekretarit të kulturës dhe sekretarit të shëndetësisë.
Kur ishte sekretar i kulturës, ai pati një rol të rëndësishëm në kërkesën për një hetim të ri mbi tragjedinë e Hillsborough, ngjarje ku në vitin 1989 humbën jetën 97 tifozë të Liverpoolit.
Pas dorëheqjes së Gordon Brown në vitin 2010, Burnham hyri në garën për drejtimin e Partisë Laburiste, por u rendit i katërti dhe u mund nga Ed Miliband.
Pesë vjet më vonë, në vitin 2015, ai kandidoi sërish për lidershipin, por kësaj here humbi përballë Jeremy Corbyn.
Në vitin 2017, Burnham la Parlamentin për të garuar për postin e kryetarit të bashkisë së Mançesterit të Madh. Ai fitoi këtë garë me mbi 60% të votave dhe më pas u rizgjodh në vitin 2021 me një rezultat edhe më të fortë.
Gjatë kohës si kryetar bashkie, ai mori vlerësime për ndryshimet në transportin publik të rajonit. Nën udhëheqjen e tij, Mançesteri i Madh u bë zona e parë jashtë Londrës që riktheu kontrollin publik mbi shërbimet e autobusëve.
Rritja e profilit të tij në nivel kombëtar u duk veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19, kur ai u përplas me qeverinë konservatore lidhur me masat kufizuese në veri të Anglisë. Pikërisht për këtë qëndrim ai fitoi nofkën “Mbreti i Veriut”.
Në vitet e fundit, Burnham ka treguar qartë se synon një rikthim në politikën kombëtare. Ai ka mbështetur disa politika të krahut të majtë të Partisë Laburiste, si shtetëzimi i ujit dhe energjisë.
Fillimisht, rruga e tij për t’u rikthyer në Parlament u bllokua. Megjithatë, pas rezultateve të dobëta të Partisë Laburiste në zgjedhje dhe shtimit të presionit ndaj drejtimit të Keir Starmer, kjo mundësi u rihap.
Pasi u përzgjodh kandidat i Partisë Laburiste në Makerfield, Andy Burnham siguroi kthimin e tij në Westminster dhe tani konsiderohet si një nga figurat që mund të ketë një rol të rëndësishëm në të ardhmen politike të partisë.
