Trashësia e dëborës në qarkun e Dibrës arrin në një metër, ndërprerje e mësimit në 60 përqind të shkollave

Problematikat vijojnë të jenë prezentë,  si pasojë e motit të keq në qarkun e Dibrës. Reshjet e dëborës janë ndërprerë që natën e mbrëmshme, por ja kanë lënë vendin ngricave.

Temperatura në Bulqizë ka shënuar -15 gradë. 60% e fshatrave të Qarkut Dibër vijon të jetë e bllokuar, pasi lartësia e dëborës arrin rreth 1 metër në Lurë, Selisht, Kalaja-Dodës, Sllovë, Trebisht dhe Ostren.

Edhe sot, mësimi nuk vazhdon në 60% të shkollave të Qarkut Dibër.

Pushteti vendor po punon për hapjen e rrugëve. Rruga nacionale Peshkopi-Bulqizë, në disa segmente duhet të përdoren zinxhirët.

Firma nënkontraktore po punon për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës. Sot, në orët e para të mëngjesit, është hapur rruga e Arbrit.


Shtuar 14.01.2025 08:34