Në Australi, historia e një dreke familjare të kthyer në tragjedi është vënë në qendër të vëmendjes të mediave vendase, por edhe atyre ndërkombëtare. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e qetë të Leongatha, në jug të vendit ku gjyshërit u ndalën pranë shtëpisë së nuses së tyre për të ngrënë së bashku.
Me ta ishin edhe nipërit dhe dy të ftuar të tjerë. Për drekë kishte kërpudha të egra, por që rezultuan… vdekjeprurëse. 4 persona u detyruan të shkonin në spital me simptoma helmimi: 3 humbën jetën ndërsa tjetri është në gjendje shumë të rëndë. Tashmë policia po heton rolin e nuses, e cila gatoi kërpudhat për të gjithë.
Mediet raportojne se ngjarja ka ndodhur të shtunën e 29 korrikut. Që atëherë komuniteti vendas, e më pas i gjithë vendi është duke folur për këtë drekë të mallkuar. Shumë kanë hedhur dyshime për rolin e mundshëm të nuses. Kërpudhat e gatuara – sipas policisë – ishin të llojit Phalloid Amanita, shumë helmuese.
Ato shkaktojnë dëme të pakthyeshme në mëlçi, por pothuajse gjithmonë çojnë në vdekje nëse nuk trajtohet në kohë. Megjithatë, gruaja mohon çdo akuzë dhe shpjegon se nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur. Ajo thotë se e ka dashur gjithmonë familjen e saj dhe se nuk do të kishte bërë kurrë asgjë kundër tyre.
Disa orë pas drekës, të katërt e kuptuan se diçka nuk po shkonte mirë. Ata filluan të kishin simptoma të gastroenteritit të rëndë. Më pas ata shkuan në spitalin lokal për të marrë ndihmën e parë. Por situata u përkeqësua më tej dhe ata u transferuan në spitalin e Melburnit, rreth 2 orë larg.
Megjithatë gjyshi, gjyshja dhe motra e kësaj të fundit humbën jetën. Nga ana tjetër, bashkëshorti i motrës është shumë rëndë, në gjendje kritike dhe në pritje të transplantit të mëlçisë.