Donald Trump ka përsëritur kritikat ndaj vendeve të NATO-s, duke thënë se është ndier “shumë i zhgënjyer” nga mungesa e mbështetjes së aleatëve gjatë konfliktit me Iranin.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë për mediat nga Ankara, krah presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, presidenti i Shteteve të Bashkuara u shpreh se kishte vendosur t’i “testonte” aleatët për të kuptuar nëse do të qëndronin pranë SHBA-së në një moment të vështirë.
“Isha duke i testuar njerëzit. Doja të shihja nëse do të ishin aty për ne, sepse prej kohësh kam thënë se ne i ndihmojmë ata, por nuk jam i sigurt nëse ata do të ishin aty për ne,” deklaroi Trump.
Sipas tij, disa shtete të NATO-s vendosën të mos përfshiheshin në konfliktin me Iranin, gjë që ai e kritikoi hapur.
“Nuk u trajtuam mirë. Madje, nuk doja as ndihmën e tyre, pasi ata thanë se nuk do të ishin aty. Ne kemi investuar triliona dollarë në NATO për të mbrojtur vendet europiane dhe të tjerët,” tha ai.
Trump përmendi drejtpërdrejt Italinë, Gjermaninë dhe Francën, duke theksuar se këto vende refuzuan të mbështesnin Shtetet e Bashkuara.
“Italia na refuzoi, Gjermania na refuzoi dhe Franca na refuzoi. Është në rregull, por pse ne shpenzojmë qindra miliarda dollarë, ndërsa ata nuk janë aty për ne? Ne kemi qenë gjithmonë pranë tyre,” u shpreh presidenti amerikan.
Ai ndaloi edhe te vendimi i kryeministrit britanik në largim, Keir Starmer, i cili lejoi përdorimin e bazave ajrore britanike nga forcat amerikane vetëm për sulme me karakter mbrojtës ndaj Iranit. Trump e cilësoi këtë si një vendim “shumë jopopullor”.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se pjesëmarrja e tij në samitin e NATO-s mund të mos kishte ndodhur, nëse takimi nuk do të zhvillohej në Turqi.
“Nëse samiti nuk do të mbahej në Turqi, ku miku im është një lider shumë i fortë, është e mundur që nuk do të kisha ardhur,” tha ai, duke iu referuar presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
