Kjo javë ka qenë tronditëse për të gjithë, pasi të martën e 2 gushtit, një vajzë 7-vjeçare u përplas për vdekje nga një skaf në plazhin e Potamit, në Himarë. Gjithashtu të tjera ngjarje të rëndësishme janë zjarret që kanë përfshirë vendin tonë si dhe çmimi I naftës, i cili në raport me bursën, mbetet i lartë.
Albeu.com ju sjell më poshtë më me detaje nga ngjarjet më të rëndësishme të javës
Tragjedia në Himarë, siguria në plazhe, reagimi publik dhe përplasja politike
Të martën e 2 gusht, rreth orës 14:00, vendi u trondit nga një ngjarje e rëndë. Një vajzë 7-vjeçare, ndërsa po notonte në det me të atin, një skaf i përmasave të mëdha e godet me helikat e motorit dhe i merr jetën. Drejtuesi i mjetit lundurues ishte Arjan Tase, ishte efektiv policie me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Pas ngjarjes, ai u arrestuar dhe ditën e djeshme, Gjykata e Vlorës e ka njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa se Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën “vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte” dhe jo “vrasje nga pakujdesia”, që ishte akuzuar më herët. Në dëshminë e tij ai tha: “Dua t’i kërkoj falje familjes të së miturës për tragjedinë që i kam shkaktuar. Nuk do të doja kurrësesi të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Nuk dua të mbrohen dhe nuk do pretendoj asnjë rrethanë lehtësuese. Dua tju kërkoj ndjesë edhe të gjithë kolegëve të policisë së shtetit të prekur nga kjo situatë. Nuk duhet të ndodhte kurrsesi, por fati im i keq. Në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra më dy fëmijët. Nëse skafi do ishte rrotulluar në anën e kundërt do të kisha vrarë familjen time”. E gjithë kjo ngjarje tragjike ka sjellë një reagim të fortë të opinionit publik. Më 4 gusht, para Ministrisë së Brendshme u zhvillua një protestë ku Ramës iu dha ultimatum deri të hënën për të shkarkuar Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, ministren e Turizmit Mirela Kumbaro si dhe Drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Kujtojmë se ky i fundit, pas ngjarjes shkarkoi të gjithë oficerët e lartë në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë. Qëndrimi i kryeministrit Rama, në lidhje me këtë ngjarje nuk është pritur mirë. Shefi i qeverisë tha se ky është sezoni më i rregullt turistik dhe politikanët e opozitës i cilësoi si vampirë politikë. Policia ka nisur një aksion për mjete lundruese dhe gjatë 4 ditëve, janë shoqëruar për verifikim të dokumentacionit rreth 200 mjete lundruese dhe argëtuese, nga të cilat 125 Jet ski dhe 75 gomone e skafe të vegjël.
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile ne AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri. Nga të cilat janë shuar 16 vatra dhe konkretisht: në fshatin Bushat, bashkia Vau-Dejës, në fshatin Kucok, bashkia Durrës, në fshatin Karpen, bashkia Shijak, në fshatin Skuraj, bashkia Kurbin, në fshatin Rehovë, bashkia Polican, në fshatin Donofrosë, bashkia Dimal, në fshatrat Moravë dhe Lapardha të bashkisë Berat, në fshatin Seman, bashkia Fier, në fshatrat Dragot dhe Deshiran të bashkisë Belsh, në fshatin Laknas, bashkia Kamëz, në fshatin Llaman, bashkia Himarë, në fshatin Salari, bashkia Tepelenë, në fshatin Bajkaj, bashkia Delvinë, në fshatin Gosë e Vogël, bashkia Rrogozhinë. Në operacionet e shuarjes së vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 408 forca operacionale, të Shërbimit te Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi , Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 37 mjete zjarrfikëse. Aktualisht janë aktive vatrat e zjarrit në: Në Bashkinë Shkodër, në vendin e quajtur “Maja e Zorgjit” në fshatin Ndërlysaj, i cili vijon prej disa ditësh, me gjithë ndërhyrjen forcat të Administratës së Zonave të Mbrojtura nuk është bërë e mundur fikja e zjarrit. Ditën e sotme operacioni mbështetet dhe me 40 efektive nga Forcat e Armatosura. Në Bashkinë Mat, në fshatin German. Operacioni në ketë vatër zjarri ka disa ditë që zhvillohet nga forcat bashkiake, zonat e mbrojtura, forcat zjarrfikëse, forcat pyjore, të mbështëtur nga Forcat e Armatosura. Janë shuar disa vatra zjarri të cilat kanë qënë me përmasa të mëdha. Operacioni është në vijim. Në Bashkinë Durrës, në fshatin Shetaj ku janë disa vatra zjarri. Nga bashkia Durrës po vijon puna për ndërtimin e rrugëve të kalimit me qëllim afrimin e mjeteve zjarrfikëse sa më afër vatrave të zjarrit. Ditën e djeshme janë fikur disa vatra zjarri me mbështetjen dhe të Forcave të Armatosura. Operacioni për fikjen e zjarrit vazhdon. Në Bashkinë Krujë, fshatin Zezë ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Forcat zjarrfikëse dhe të bashkisë po punojnë për shuarjen e tij. Në Bashkinë Kurbin vijojnë aktive vatrat në fshatin Mali i Bardhë, intensiteti i të cilit është i rritur si rezultat i erës së fortë. Strukturat e bashkisë dhe forcat zjarrfikëse po vijojnë operacionin. Në Bashkinë Mirditë, vazhdon të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatin Bulshar. Shërbimi zjarrfikës dhe forcat e bashkisë ka punuar dhe kanë shuar disa vatra zjarri. Operacioni ka filluar që në orët e para të mëngjesit. Në Bashkinë Mirditë, në fshatin Valçe ditën e djeshme u përfshi nga zjarri një sipërfaqe me pyll lisi. Menjëherë u angazhuan forcat e shërbimit zjarrfikës, punonjës të bashkisë dhe vullnetarë. Bashkia Himarë, Porto Palermo, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, për shuarjen e së cilës janë angazhuar menjëherë forcat e shërbimit zjarrfikës të cilat kanë bërë të mundur vënin në kontroll. Në fshatin Cërricë, bashkia Skrapar, po vijon operacioni për shuarjen përfundimtare.
Nafta bie në bursa, Bordi e ul me 1 lekë
Bordi i Transparencës ka vendosur të ulë sërish çmimet e karburanteve. Benzina do të tregtohet 8 lekë më pak, me 199 lekë/litri nga 207 lekë nga vendimi i datës 2 gusht. Nafta do të tregtohet me 220 lekë për litër, nga 221 lekë që ishte më parë. Gazi ka mbetur i pandryshuar në 81 lekë për litër. Çmimi i naftës së papërpunuar në bursa, treguesi Brent, ka rënë së fundmi në rreth 94 dollarë për fuçi, duke arritur në nivelet e para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, pas të cilit, Brent arriti deri në 130 dollarë për fuçi. Mos rënia e naftës në tregun vendas me të njëjtat ritme si treguesi Brent në bursat ndërkombëtare ka krijuar shqetësim te konsumatorët dhe shoqatat e biznesit, që kërkojnë transparencë dhe reflektim të çmimeve në tregun vendas. “Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ. Bordi i përmbahet me përpikëmëri lëvizjes së bursës Plats të Mesdheut për gazoilin,benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve. Jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njejtën masë në bursen e gazoilit dhe benzinës. Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën Platz të mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim”, thuhet në njoftimin e Bordit./albeu.com