E PLOTË/ Si efektivi Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren në Himarë: Pikëpyetjet për skafin dhe vala e reagimeve

Një ngjarje e rëndë ka tronditur të martën e 2 gushtit, të gjithë opinionin publik. Një skaf goditi për vdekje një vajzë 7-vjeçare, e cila po pushonte në Himarë së bashku me familjen e saj. Autori I kësaj ngjarjeje tragjike është ish-shefi i komisariatit të Vlorës, Arjan Tase.

Si ndodhi ngjarja?

Dje, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, Arjan Tase, duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, ka goditur vajzën e mitur e cila po lahej në bregdet. Vogëlushja, për shkak të plagëve të rënda ka ndërruar jetë menjëherë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur para syve të qindar pushuesve, të cilët janë tronditur nga ajo që kanë parë.

Familja e viktimës, me mbiemër Avdia, kishte nga ardhur nga Anglia për të kaluar pushimet në Shqipëri, ndërsa me origjinë ishte nga Tropoja. Pushuesit, të cilët knë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjes, u shprehën se mjeti është afruar në breg dhe ka bërë një manovër kthimi indietro dhe në këtë moment helika ka goditur fëmijën, ndërsa drejtuesi nuk ka qenë aspak i vëmendshëm për të shmangur atë.

Kush është Arjan Tase, drejtuesi i skafit që goditi për vdekje 7-vjeçaren?

Arjan Tase është efektiv policie me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Ai ka pasur performancë të dobët në punë pas rikthimit në detyrë, pasi ishte i pezulluar më parë si shef i komisariatit Himarë.  Gjithashtu mësohet se edhe kur ishte shef i komisariatit të Himarës akuzohej për shpërdorim detyre pasi dyshohej se kishte lejuar kultivimin e drogës në dy fshatra të Vlorës. Në dhjetor të 2020 në kuadër të operacionit antidrogë ai u arrestua së bashku me disa efektivë policie, kultivues dhe trafikantë droge të cilët ishin implikuar në kultivimin e 6790 rrënjë kanabis në Vlorë, por fitoi pafajësinë nga Gjykata e Vlorës në 27 prill 2022. Po ashtu, burime pranë AMP-së së Elbasanit bëjnë me dije Arjan Tase nuk ka arritur nivelin e nevojshëm të kryerjes së detyrave të funksionit që mbante aktualisht. Pas ngjarjes, Tase u arrestua dhe u shkarkua. Në dëshminë e tij, oficeri ka deklaruar se në momentin kur ka goditur vajzën, gomonia ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend. Ai ka shtuar gjithashtu se në mëngjes kishte shkuar me makinë në Porto Palermo për të marre aty gomonen dhe se mjetin ia kishte marrë djalit të xhaxhait por ka deklaruar se edhe vetë kishte leje drejtimi të mjeteve lundruese. Gjithashtu ai ka bërë me dije se kishte udhëtuar me gomone nga Porto Palermo në drejtim të Potamit ku do merrte gruan dhe fëmijët për t’i nxjerrë shëtitje në det. Nga pamjet që kanë qarkulluar në rrjet, shihet një gjakftohtësi nga ana e Tases pas ngjarjes. Ai është sulmuar me fjalë nga njerëzit për pakujdesinë e treguar, ndërsa ka treguar dhe arrogancë, ndërsa i ati i vogëlushes, nga hidhërimi i thellë, ka tentuar ta godasë. I pafuqishëm para humbjes së madhe, ai u gjunjëzua në tokë.

Skafi që goditi për vdekje të miturën

Skafi me të cilën u godit për vdekje 7-vjeçarja në plazhin e Potamit është një mjet i fuqishëm “Nën 154”, me dy motorë 2 x 300 hp. Ky lloj skafi ka nevojë për patentë specifike dhe nuk dihet nëse Tase e ka zotëruar një të tillë. Gjithashtu nuk dihet se në pronësi të kujt është skafi, i cili me fuqinë që ka, mund të çajë dhe detin dhe të mbërrijë në Itali. Policia nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me këtë mjet të frikshëm lundrues, i cili i mori jetë një fëmije të pafajshëm.

“Tërmet”  në policinë e Vlorës

Pas ngjarjes së rëndë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, janë shkarkuar të gjithë oficerët e lartë në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë, me arsyetimin

Policia e Shtetit për moszbatimin e masave shtesë për parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese, në zonat bregdetare.

“Shkarkohet i gjithë zinxhiri komandues i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë dhe personat përgjegjës, për moszbatimin e masave shtesë për parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese, në zonat bregdetare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, pas analizës së hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme, në Potam, Himarë, ku humbi jetën një 7-vjeçare, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie, bazuar në konkluzionet e nxjerra nga analiza e situatës, mori vendimin për shkarkimin nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues dhe të personave përgjegjës në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano u shkarkuan nga detyra:

Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj, me detyrë Drejtor i DVKM Vlorë;

Komisar Fatos Muka, me detyrë Shef Sektori i Kufirit në DVKM Vlorë;

Kryekomisar Andon Marko, me detyrë Shef Sektori i Zbatimit të Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;

Nënkomisarë Dritan Veizaj dhe Ervis Alisinanaj, me detyrë specialistë pranë këtij Sektori;

Inspektorë Ardian Kamaj, Granit Nuraj, Jonel Ahmeti dhe Juljan Mehmetaj, efektivë të Sektorit për Zbatimin e Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;

Nënkomisar Neritan Buzi, Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi dhe Nënkomisar Daniel Likskëndaj, specialist pranë këtij Sektori;

Inspektorë Andrea Zenelaj, Besnik Limaj, Fatos Pashaj dhe Arsen Hasanaj, trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi.

Ndërkohë, grupi i posaçëm, i ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i përbërë nga specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike, vijon punën për eleminimin e mangësive, me qëllim parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese.

Drejtori i Përgjthshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano është i vendosur për të mos toleruar asnjë punonjës policie, drejtues apo zbatues, që nuk zbaton me rigorozitet dhe ndershmëri detyrat funksionale, në interes së mbrojtjes së jetës së qytetarëve

Policia e Shtetit i shpreh edhe një herë familjes Avdia, ngushëllimet më të sinqerta, dhe siguron qytetarët se punonjësit e Policisë   në të gjithë vendin janë duke punuar me përkushtim dhe sakrificë për të garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe për të luftuar paligjshmërinë, ndaj ngjarja shumë e rëndë që ndodhi mesditën e sotme nuk duhet të përbaltë dhe të hedhë poshtë punën e mijëra punonjësve të Policisë në të gjithë vendin”, thuhet në njoftim.

Reagimet në rrjet nga politikanë dhe personazhe vip

Ngjarja e rëndë ka shkktuar zemërim në rrjet, ku qytetarë të thjeshtë, personazhe të ekranit dhe politikanë kanë shpërthyer ndaj shtetit, që nuk garanton siguri në plazhe. Ndër personzhet që reagun janë Blendi Fevziu, Ardit Gjebrea, Araba Osmani etj. Gjithashtu nga politika, reagimet kanë qenë të shumta nga ana e opozitës, ndërsa kryeministri Rama në reagimi e tij, më shumë sesa me ngjarjen e rëndë u mor me sulmet ndaj qeverisë së tij, të cilat  i cilësoi kafshërore.

Protesta më 4 korrik te Ministria e Brendshme

Ditën e djeshme të Kryeministria dhe në Himarë u ndezën qirinj për vogëlushën që humbi jetën, ndërsa nesër, më 4 gusht, shoqëria civile ka paralajmëruar protesta ditën e enjte në orën 19:00 përballë Ministrisë së Brendshme, ku kërkon dorëheqjen e ministrit Çuçi, ministres Kumbaro dhe atë të Drejtorit të përgjithshëm të Policisë Gledis Nano.

Tragjedia e paralajmëruar

Duhej patjetër një humbje jete që policia e shtetit të vihej në lëvizje në lidhje me babëzinë e qytetarëve që bëjnë manovra të rrezikshme në breg të detit, ku sipas rregullores, nuk lejohet. Kujtojmë se këtë verë ka pasur dhe raste të ngjashme, ku mjete lundruese kanë përplasur pushuesit, por fatmirësisht nuk kanë humbur jetën.

Para pak ditsh në Jalë u aksidentua rëndë një çift dhe disa ditë më vonë, një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut./albeu.com