Tre persona janë arrestuar në Durrës dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Ata dyshohet se trafikonin makina nga Italia.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Ado”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe trafikimit të automjeteve.
Operacioni i zhvilluar nga Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Ekzekutohen masat e sigurisë për 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër.
Strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe trafikimit të automjeteve nga shtetet e tjera drejt vendit tonë, si rezultat i informacioneve të mara në rrugë operative, kanë mirorganizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ado”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ekzekutimi i masave “Arrest në burg”, për shtetasit:
E. H., 24 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim;
S. H., 63 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. H., si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit F. H., për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në mënyrë të përsëritur kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë trafikuar automjete nga Italia drejt vendit tonë, duke shfrytëzuar agjencinë doganore që kishin në pronësi.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./albeu.com/