Ditën e parë të Samitit të NATO-s në Ankara e ka dominuar Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me qëndrimet e tij mbi raportet me Turqinë, duke sinjalizuar se synon rikthimin e Ankarasë në programin e avionëve luftarakë F-35, si edhe heqjen e sanksioneve amerikane të vendosura sipas ligjit CAATSA.
Trump u prit në mënyrë tepër të ngrohtë nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, në aeroportin e Ankarasë, ku klima mes dy udhëheqësve u konsiderua jashtëzakonisht miqësore. Kreu i Shtëpisë së Bardhë mbërriti me avionin presidencial, ndërsa gjatë ceremonisë së pritjes ambasadori amerikan iu drejtua kontingjentit ushtarak turk me fjalët “Merhaba asker” (“Përshëndetje, ushtar”).
Të lidhura
None found
Nga Pallati Presidencial, Trump deklaroi se administrata e tij po e shqyrton me serioz rikthimin e Turqisë në programin F-35.
“Turqia është më besnike se shumica e vendeve. F-35 është avioni më i mirë në botë dhe ne po e shqyrtojmë këtë çështje”, tha ai. Presidenti amerikan theksoi njëkohësisht edhe dëshirën e tij për të hequr sanksionet CAATSA ndaj Ankarasë.
“Do t’i heqim sanksionet. Ka ardhur koha. Nuk duam të vendosim sanksione ndaj miqve tanë dhe nuk dua ta mbys mikun tim me sanksione”, u shpreh Trump.
Ai rezervoi edhe vlerësime të forta për Erdoganin, duke e përshkruar si një “mik shumë të ngushtë” dhe duke nënvizuar se marrëdhënia e tyre është “shumë e veçantë”.
“Turqia ka një udhëheqës shumë të fortë dhe një ushtri shumë të fuqishme. Kam respekt të madh për Presidentin Erdogan”, deklaroi Trump, duke shtuar se mes dy liderëve mund të diskutohet edhe situata në Iran.
Nga ana tjetër, Erdogan tha se dosja e F-35 nuk është e re dhe nënvizoi se pret që SHBA të respektojë angazhimin për rikthimin e Turqisë në program.
“Zoti Trump gjithmonë e mban fjalën e tij për këtë çështje. Besoj se do të merret një vendim pozitiv për F-35”, deklaroi presidenti turk.
Megjithëse deklaratat e Trump ishin optimiste, rikthimi i Turqisë në programin F-35 mbetet një proces i ndërlikuar, pasi heqja e sanksioneve CAATSA kërkon edhe miratimin e Kongresit amerikan.
Krahas çështjes së F-35, Turqia kërkon të sigurojë pjesëmarrje pa kushte në programin evropian të mbrojtjes SAFE dhe të thellojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në industrinë e mbrojtjes.
Në fokus të Samitit të NATO-s janë edhe rritja e shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, mbështetja ushtarake për Ukrainën dhe forcimi i industrisë së mbrojtjes së Aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri të ditur gjithashtu marrëveshje të reja për blerje pajisjesh ushtarake me vlerë mbi 40 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, ndërsa u bëri thirrje aleatëve për një “revolucion transatlantik” në industrinë e mbrojtjes për t’iu përgjigjur kërcënimeve në rritje.
