Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një video në Facebook, pas debatit të ndezur ditët e fundit rreth koncertit të Kanye West dhe protestave që vijojnë prej më shumë se një muaji.
Ai i hodhi poshtë pretendimet se shteti ka financuar aktivitetin me 50 milionë euro, duke i quajtur ato “shpifje”. Sipas tij, qeveria ka dhënë vetëm 4 milionë euro, me qëllim që të shmangej anulimi i koncertit.
Të lidhura
None found
Në mesazhin e tij, Rama u ndal edhe te kundërshtarët politikë, të cilët i akuzoi për dezinformim dhe për manipulim të opinionit publik.
Reagimi i plotë:
Përshëndetje nga unë!
Dështakët me zemër të thyer, që janë bashkuar për të kthyer në kos etjen e tyre për pushtet dhe lavdi, i janë vërsulur edhe koncertit të veçantë të Kanye West, duke e goditur rrjedhën e pastër të protestës së flamingove.
Ish-zyrtarë që u larguan nga detyra të rëndësishme me shumë zemërim dhe pa asnjë lavdi; humbës që hynë në zgjedhje si zgalema e dolën prej tyre si kalastrena; lloj-lloj foltoristësh të rizhgënjyer, pëdëistësh të rigënjyer, arqimarksistësh të rrjetëzuar, islamistësh të tiktokëzuar dhe shkelësish ligji të frymëzuar, janë bërë një kor i zi proteste dhe nuk ndalen së ndoturi kanalet sociale me shpifje, falsifikime, manipulime, sharje të pandërprera, urrejtje që ushqen urrejtje dhe verbëri që ushqen verbëri, kundër kujtdo që e shohin si pengesë për gjithçka që i pengon të shohin veten në një karrige.
Ja ku qenkan, 50 milionë eurot që, sipas tyre, i ka dhënë ministri ynë për një natë koncerti, ndërsa spitalet gjoja nuk kanë ilaçe.
A e dëgjuat?
Është një gënjeshtër me bisht, madje me bisht akrepi, e sajuar për të pickuar dhe për të helmuar mendjen e kujtdo që e përjeton me konfuzion këtë rrëmujë. “Ja ku janë 50 milionë eurot… vetëm për një natë koncert!”, thotë ai.
Librat e shenjtë prej mijëra vitesh na mësojnë se shpifësi është më i keq se vrasësi. Kurani e dënon aq rëndë shpifjen, sepse ajo nuk shkatërron vetëm një njeri; ajo shemb edhe themelet e besimit mes njerëzve. Fjala është amanet, fjala nuk duhet të shndërrohet në lanet, dhe shpifësi e kthen në lanet, sepse nuk ndërton asgjë, por jeton duke rrënuar atë që ndërtojnë të tjerët. Ai e përbuz të vërtetën dhe gërmon vetëm për të gjetur gropën ku të japë dënimin pa gjyq.
Ai punon për diskreditim, për shkatërrim, për përbaltje dhe për asgjësim moral të të tjerëve.
“50 milionë euro ka dhënë shteti për Kenin e Nestit”, shkruan ky humorist pa din e pa iman poshtë video-shpifjes së tij.
Ndërkohë, koncerti i Kanye West është një ngjarje botërore dhe do të financohet tërësisht nga sponsorët dhe shitja e biletave, sikur njerëz të këtij soji karagjozi të mos i kishin mbushur faqet sociale me glasa thirrjesh për bojkot, për ta shndërruar koncertin në protestë, duke frikësuar dashamirët e muzikës së Kanye West dhe në fakt duke dekurajuar shitjen e biletave të këtij koncerti madhështor?
Po si qëndron e vërteta?
E vërteta është, si gjithmonë, e thjeshtë dhe mund të provohet me dokumente.
Që në fillim ne kemi nënshkruar vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar, përveç mikpritjes sigurisht, edhe siguri dhe mbështetje logjistike, duke theksuar qartë se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar. Asnjë angazhim financiar!
Po kur je i detyruar, “in extremis”, të ndërhysh siç bëmë realisht vetëm mbrëmë, me 4 milionë euro, për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe për të shmangur turpërimin e Shqipërisë, para së gjithash përballë dhjetëra mijëra blerësve të huaj të biletave, të cilët janë më shumë se tifozët e huaj që erdhën në Tiranë për finalen e Conference League?
Përfitimet nga ajo ngjarje ndërkombëtare sportive ishin të jashtëzakonshme dhe po aq të jashtëzakonshme do të jenë edhe përfitimet nga kjo ngjarje ndërkombëtare muzike.
Edhe pse, për hir të së vërtetës, do të kishim dashur të mos paguanim asnjë qindarkë deri në fund, shuma që dhamë për një aktivitet, pra 4 dhe jo 50, i organizuar plotësisht privatisht dhe që do t’i sjellë ekonomisë së kryeqytetit shumëfishin e kësaj shume, dhjetëra mijëra konsumatorë të huaj, pa llogaritur vlerën e reklamimit global të emrit të Shqipërisë në një nga komunitetet më të mëdha kulturore të botës, është krejtësisht e arsyeshme. Mund ta kishim dhënë edhe që në fillim, po të ishte nevoja, por u detyruam dhe tani shikoni si vazhdon gënjeshtra me bisht akrepi!
“Gjithë kjo fushë këtu, ka qenë gjithë gjelbërim.”
Aty ka pasur vetëm një fushë ferrash, ku organizatorët gjetën vendin më të përshtatshëm, për mungesë të një stadiumi me kapacitet të madh, për të ngritur stadiumin me 60 mijë spektatorë. Dhe nuk është aspak rastësi që ky shpifës i mbushur me helm është një llapaqorr i partisë “Shqipëria Bëhet”.
Shqipëria Bëhet, me shpifje. O burra!
“Lëvizim Bashkë”… me shpifje. O burra!
“Shpifja është një Mundësi.” O burra tek mundësia!
Shpif, shpif, se diçka do të mbetet. Patjetër që do të mbetet.
Shikojeni tani “gjelbërimin”.
“Kush e di se çfarë do të bëhet pas kësaj?”
“Kushedi se çfarë do të bëhet më pas”, çfarë t’i thuash këtij sallahani, po mirë që nuk tha se u rrafshua pylli për t’u ndërtuar një thertore flamengosh, pas shpinës së Kanye West.
Edhe pastaj pyesin pse del njerëzia në protestë…
Jo, jo. Unë nuk them kurrë pse del në protestë ajo nëna e shokut tim që është përplasur për një kohë të gjatë me papërgjegjshmërinë e një mjeku.
Nuk them kurrë pse del në protestë ai djali apo ajo vajzë që e duan me sinqeritet natyrën dhe kanë frikë se zhvillimi mund ta dëmtojë atë. Mund të dëmtojë biodiversitetin.
Nuk them kurrë pse del në protestë kushdo që ka një hall, një shqetësim, një padrejtësi për të kundërshtuar apo një shpresë për të ushqyer.
Nuk e them sepse e di se ata njerëz nuk i bashkon etja për pushtet. Nuk i bashkon dëshira për karrige, o rash e vdiqa. Nuk i bashkon urrejtja për ta kthyer përmbys gjithçka. I bashkon shqetësimi.
Edhe pikërisht sepse i respektoj arsyet e tyre, unë nuk mund t’i shoh të merren peng nga korbat e shpifjes, nga sorrat e manipulimit dhe nga parti e partiçka që nuk kanë asnjë projekt për Shqipërinë, por vetëm këmbënguljen për të rrëzuar gjithçka. Me shpifje, me sharje, me kërcënime, me forcë dhe, ku munden, edhe me dhunë, duke shfrytëzuar shpejtësinë çmendurake të algoritmit.
Shpifjet nuk kanë ndërtuar kurrë asgjë, përveç mureve të ndasisë dhe mosbesimit mes njerëzve. Dhe në këtë vend sigurisht që mund të gjesh jo një, jo njëqind, por një mijë arsye për të protestuar. Kjo është normale në çdo vend, është normale në çdo vend.
Historia na ka treguar se sa më shumë përparon një shoqëri, aq më pak ajo pranon problemet që kërkojnë zgjidhje, dhe kjo është shenjë e lirisë së vërtetë dhe e një demokracie të gjallë.
Problemi nuk është ushtrimi i lirisë së protestës. Nuk është as gjallërimi demokratik i shoqërisë përmes protestës. Problemi lind kur protesta ushqehet me shpifje, me dezinformim dhe me manipulim, dhe kur kthehet në mjet për ta kthyer vendin mbrapa. Prandaj problemi nuk janë flamingot. Problemi janë sorrat dhe korbat!
