Donald Trump ka mbajtur një ton më të butë ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, të cilën e përshkroi si një “person shumë të mirë”, edhe pse njëkohësisht përsëriti rezervat e tij për qëndrimin e saj lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara foli para mediave në Ankara, pak para nisjes së samitit të NATO-s, ku iu përgjigj një pyetjeje mbi marrëdhënien me Melonin.
Të lidhura
None found
“Ajo është një person shumë i mirë. E dua shumë, por mendoj se bëri një gabim. Ajo thjesht nuk ishte aty për ne dhe kjo nuk më pëlqeu”, tha Trump, duke iu referuar vendimit të Italisë për të mos mbështetur sulmin amerikano-izraelit ndaj Iranit.
Këto komente vijnë pas tensioneve të forta që kanë karakterizuar raportin mes dy liderëve gjatë javëve të fundit. Të dielën, në platformën e tij Truth Social, Trump publikoi një imazh të manipuluar të Giorgia Melonit, të shoqëruar me mesazhin “Nevojiten masa kufizuese”, ndërsa autoritetet italiane vendosën të mos japin asnjë reagim publik për atë postim.
Më parë, kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte thënë se Meloni “nuk po shkon mirë në Itali” dhe se po humbte mbështetjen e qytetarëve. Ai kishte deklaruar gjithashtu se kryeministrja italiane i kishte kërkuar të dilnin bashkë në një fotografi gjatë samitit të G7.
Megjithëse kohët e fundit marrëdhënia mes tyre është përfshirë nga përplasje, deri jo shumë kohë më parë Giorgia Meloni shihej si një prej aleateve më të afërta të Donald Trump në Evropë.
Në të njëjtën kohë, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i cili ndodhet përkrah Melonit në samitin e NATO-s në Ankara, deklaroi se thelbi mbetet mbrojtja e marrëdhënieve transatlantike, pavarësisht mospajtimeve të fundit mes Romës dhe Uashingtonit.
Samiti i NATO-s pritet të krijojë hapësirë për kontakte të reja mes drejtuesve të Aleancës, ndërsa fokusi mbetet te zhvillimet në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet mes aleatëve.
