Një grup prej 5 personash, mes tyre një vajzë, kishte ndërtuar një rrjet të mirëfilltë të trafikimit të drogës nga Kosova në Shqipëri.
Ata shisnin lëndë narkotike ekstazi MDMA, të cilën e sillnin në Shqipëri përmes autobusëve të linjës Prishtinë-Tiranë.
Në pranga ranë Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Por si sillej droga në Shqipëri?
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë.
Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish.
Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.
Gjatë operacionit “Punisher 2” u sekuestruan 11300 tableta ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg.
AlbEu.com mëson se vlera e tregut varionte nga 350.000-500.000 euro.
Së bashku me tabletat ekstazi u sekuestruan edhe 229.6 gram cannabis sativa, 1 automjet dhe 5 telefona celular.
Materialet hetimore do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim./Albeu.com.