Tokio e ndëshkoi me sanksione, pse Rusia po kryen stërvitje në ishujt e diskutueshëm me Japoninë?

Rusia ka thënë se po kryen stërvitje në ishujt që kontestohen nga Japonia, disa ditë pasi u tërhoq nga bisedimet e paqes në përgjigje të vendimit të Tokios për të vendosur sanksione ndaj Rusisë shkaku i agresionit në Ukrainë.

Katër ishuj – të cilët Rusia i quan Kurilet Jugore dhe Japonia i quan Territoret Veriore – janë objekt i një mosmarrëveshjeje më shumë se 70-vjeçare midis dy kombeve, raporton bbc.

Për shkak të mosmarrëveshjes, Rusia dhe Japonia nuk kanë nënshkruar ende një traktat paqeje për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

Në fillim të kësaj jave, Rusia tha se po tërhiqej nga negociatat me Japoninë që synojnë nënshkrimin e atij traktati, për shkak të qëndrimit të ashpër të Tokios kundër pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Dhe tani, Distrikti Ushtarak Lindor i Rusisë thotë se do të kryejë stërvitje ushtarake në ishuj me më shumë se 3,000 trupa dhe qindra pjesë të pajisjeve të ushtrisë.

Japonia kishte dënuar më parë Rusinë për tërheqjen nga bisedimet e paqes dhe për ndalimin e projekteve të përbashkëta ekonomike në lidhje me ishujt.


Shtuar 26.03.2022 08:53