Tiranë/ Po përgatiteshin për stërvitje, polici nga pakujdesia plagos kolegun në këmbë

Ditën e djeshme, në Njësinë e Sigurisë Publike në Tiranë, një punonjës policie teksa po përgatitej për stërvitje shkrepi pa dashje armën e shërbimit dhe plagosi në këmbë kolegun e tij.

I plagosuri Xh.L., u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq, inspektori K.Ç. u pezullua nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një procedim penal në gjendje të lirë për plagosje nga pakujdesia.

Tiranë/ Më datë 15.02.2024, rreth orës 12:40, në ambientet e Njësisë së Sigurisë Publike Tiranë, punonjësi i Policisë Inspektor K. Ç., gjatë përgatitjes për stërvitje, dyshohet se nga pakujdesia i ka shkrepur arma e shërbimit dhe për pasojë është plagosur në këmbë, punonjësi i Policisë Inspektor Xh. L., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa punonjësi i Policisë K. Ç. është pezulluar nga detyra.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe veprimet procedurale për këtë rast po kryhen nga AMP.

Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar një hetim të thelluar administrativ për mosrespektimin e procedurave standarde për mbajtjen dhe administrimin e armëve të brezit, nga punonjësit e Policisë.

Në përfundim të këtyre veprimeve, Prokuroria, Policia Gjyqësore dhe AMP kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë, për punonjësin e Policisë K. Ç., për plagosje nga pakujdesia.


Shtuar 16.02.2024 09:11