Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, pas informacioneve të marra në rrugë operative, zhvilluan dhe finalizuan operacion policor të koduar “RED POINT”, në kuadër të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
E. S., 24 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, si dhe u shpall në kërkim shtetasi I. Sh., 23 vjeç.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë koordinuar vendndodhjet nëpërmjet opsionit “Location” në aplikacionin “Whatsapp”, kanë tentuar të transportojnë me mjetet e tyre private, kundrejt shpërblimit monetar, 9 shtetas emigrantë të paligjshëm, nga Tirana drejt qytetit të Kukësit, me qëllim kalimin e tyre drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar dy automjete “Mercedes-Benz” dhe disa aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim./albeu.com