Temperatura më e lartë në Evropë ndër dekada: Sa shënoi termometri në Itali?

Sicilia mund të ketë shënuar temperaturën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në Evropë – 48.8C.

Autoritetet rajonale raportuan lajmin, i cili duhet të verifikohet nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO). Sipas WMO, rekordi aktual zyrtar në Evropë është 48C, i regjistruar në Athinë, Greqi, në vitin 1977.

Vala e fundit e të nxehtit në Itali po shkaktohet nga një anticiklon – i njohur si Lucifer – që lëviz nga Afrika. Lucifer parashikohet të shkojë në veri të Italisë, duke rritur më tej temperaturat në qytetet e tjera.

Si pasojë e valës së të nxehtit mesdhetar, disa vende po regjistrojnë temperaturat më të larta në dekada. Kjo ka çuar në përhapjen e zjarreve në të gjithë Italinë jugore, ku rajonet më të goditura janë Sicilia, Kalabria dhe Puglia.

Nga ana tjetër edhe Greqia po përballet me zjarret e egra që po vazhdojnë prej ditësh në të gjithë vendin, të nxitur nga erërat e forta dhe bimësia e tharë.

Ndryshimi i klimës rrit rrezikun e motit të nxehtë dhe të thatë që ka të ngjarë të nxisë zjarret. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2 gradë Celsius që kur filloi epoka industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në të gjithë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.


Shtuar 13.08.2021 14:55