Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thotë se të enjten me një event të madh do të bëhet edhe inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, KMSH shkruan se më në fund do të plotësohet ëndrra e kahershme e popullit shqiptar.
KMSH thotë se ditën e inaugurimit do të ketë i pranishëm presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri Edi Rama, të cilët i ka falënderuar për realizimin e këtij projekti.
“Të dashur motra dhe vëllezër, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kënaqësinë t’ju njoftojë për evenimentin e madh që do të mbahet ditën e enjte në Tiranë, siç është inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë.
Kjo xhami është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z, Recep Tayyip Erdoğan. Po ashtu Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative po edhe financiare të Qeverisë Shqiptare, që falë vullnetit të Kryeministrit Edi Rama i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë.
Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në cenermoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.
Ne falenderojmë popullin turk dhe presidentin Erdoğan, si edhe kryeministrin e Shqipërisë që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Këtu veçojmë gjithashtu ndërveprimin e shkëlqyer të qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ndërveprim i cili ka qenë deçiziv në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar. Një falenderim vëllazëror u shkon të gjithë atyre që e ndërtuan Xhaminë tonë të Madhe me mendjet e duart e tyre të arta.
Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.
Falenderojmë Zotin që bëri të mundur arritjen e kësaj dite të shënuar! Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë do të bëhet ditën e enjte, 10 tetor 2024”, thuhet në postim.
Faltorja më e madhe në Ballkan, Xhamia e Namazgjasë, prej muajit janar të këtij viti është gati për të pritur mijëra besimtarë muslimanë. Ndërtimet kanë përfunduar dhe Xhamia e pozicionuar mu në zemër të Tiranës është kthyer në një vepër madhështore.
Pamjet brenda Xhamisë janë përrallore, ku dhe ashtu si ishte skicuar çdo punim brenda dhe jashtë këtij objekti kulti është ndërtuar me kujdes deri në detajin më të vogël.
Nisja e punimeve për ndërtimin e kësaj Xhamie u inagurua më 13 maj 2015. Ajo ka një hapësirë ndërtimi prej rreth 6 mijë metrash katrorë, me një kapacitet prej 5000 persona. Njëjtë si dhe është bërë me dije më herët kjo Xhami ka një qendër multi funkionale, ku pjesë të saj janë: një sallë konferencash me një kapacitet prej 332 personash, një hapësirë me 10 klasa ku do të mësohet Kur’an-i Kerim si dhe një muze i cili do të quhet edhe ndryshe si “Muzeu i Bashkëjetesës”.
Më 28 janar të këtij viti ministri turk, Hakan Fidan, mbërriti në Tiranë dhe ndalesa e parë e tij ishte pikërisht në xhaminë e Namazgjasë. I shoqëruar nga delegacioni, ministri turk vizitoi faltoren më të madhe të Ballkanit.
Mirëpo, ajo që ran ë sy ishte fakti se asnjë mysliman shqiptar, imam nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, nuk shoqëruan Fidanin në këtë vizitë. Duke marrë parasysh rëndësinë që Fidan ka në kabinetin e Erdoganit, i cili njihet si krahu i djathtë i presidentit, askush nga krerët e KMSH, as vetë Bujar Spahiu, nuk ishin të pranishëm në vizitën që ministri bëri muaj më parë në Xhami.
Kujtojmë se presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka kërkuar disa herë që asnjë përfaqësues mysliman shqiptar të mos jetë i pranishëm në vizitat e turqve në xhamitë e vendit tonë pasi i konsideron ata të lidhur me Lëvizjen GYLEN.