Tavo apo Gjikuria, Himara zgjedh sot Kryebashkiakun e ri

Ditën e sotme, 4 Gusht 2024, në Himarë do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin ri të Bashkisë, ndërsa në garë janë Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria, i mbështetur nga Partia Demokratike dhe partitë të tjera opozitare.

Zgjedhjet për Kryebashkiak të Himarës, zhvillohen pak më shumë se një vit nga zgjedhjet e mbajtura më 14 maj të 2023-it, ku Fredi Beleri, rezultoi fitues i procesit, por nuk arriti të ushtronte detyrën pasi dy ditë para zgjedhjeve, u arrestua nga policia me akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Pavarësisht betejës ligjore, Beleri u dënua me dy vjet heqje lirie, duke humbur kështu mandatin, ndërsa sot rreth 23 mijë zgjedhës me të drejtë vote në Himarë, do të zgjedhin një prej kandidatëve, Gjikurisë ose Tavos.

Himara prej vitit 2000 ka prodhuar vazhdimisht tensione dhe debate, veccanërisht mes Tiranës zyrtare dhe qarqeve të caktuara në Greqi, që e trajtojnë bashkinë e vogël në jug të vendit si një bashki minoritare.

Në 2003 dhe 2007, demokratët dhe socialistët janë bërë bashkë kundër kandidatëve të propozuar në atë kohë nga PBDNJ, për shkak se figurat e përzgjedhur nga kjo parti konsideroheshin si ekstremistë dhe me lidhje me qarqet e ekstremeve në Greqi.

Procesi i votimit në Himarë nis në orën 07:00 dhe përfundon në orën 19:00. Gjatë fushatës disa ditore zgjedhore nga kandidatët, ka pasur pretendime lidhur me zhvendosjen e votuesve drejt Himarës


Shtuar 4.08.2024 07:47