Takimi me Yuri Kim, Alibeaj: U ndalëm te zgjedhjet e 14 Majit

Enkeljed Alibeaj ka zbardhur takimin që zhvilloi sot me ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Alibeaj tha se gjatë një takimi të frytshëm dhe miqësor me ambasadoren e SHBA në Tiranë, dyshja diskutuan temat që lidhen me zhvillimet më të fundit në vend, duke përfshirë edhe zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Alibeaj bën me dije se i garantoi ambasadorës në emër të PD-së për vullnetin e mirë  për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR.

Postimi i plotë:

Gjatë një takimi të frytshëm dhe miqësor me ambasadoren e SHBA në Tiranë prekem temat që lidhen me zhvillimet më të fundit në vend për t’u ndalur më gjatë tek ato të zgjedhjeve vendore të 14 Majit.

Diskutuam për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve. Shqetësime këto të ngritura dhe më parë nga opozita dhe që kanë shoqëruar problematikën e proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.

Në emër të PD garantova ambasadoren e SHBA për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetesime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale.

Në fund të bisedës e falenderova për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të zhvillimeve demokratike.

Kujtojmë se sot Yuri Kim u takua edhe me sekretarin e Partisë Socialsite Damian Gjiknurin. 

/AlbEu.com/


Shtuar 8.03.2023 14:01