Një grup prej 5 personash që merrej trafikimin nga Kosova në Shqipëri, dhe shitjen e lëndëve narkotike ekstazi MDMA, është goditur nga policia e Tiranës mbrëmjen e djeshme, 14 gusht 2023.
Në pranga ranë Mithat Ramadani, Besnik Mujeci, Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia. Dy prej të arrestuarve janë shtetas të Kosovës.
Ditën e sotme, Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, së bashku me zëvendësdrejtorin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Zëvendësdrejtorin për Sigurinë Publike dhe shefin e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në një deklaratë për mediet ka dhënë detaje nga operacioni.
“Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimeve disamujore, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë”, tha Vocaj.
Lokalizimi
Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.
Si transportohej droga
Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë.
Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish.
Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.
Çfarë u sekuestrua
Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar maksimalisht për të parandaluar dhe luftuar veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit, prodhimit dhe shpërndarjes së drogave të lehta dhe të forta./Albeu.com