Blegtoria duket se ka marrë një goditje të fortë gjatë viteve të fundit duke bërë të ulet ndjeshëm numri i lopëve, deleve, dhive dhe gjithçkaje tjetër përveç njëdhundrakëve, të cilët vijojnë të rezistojnë.
Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT, numri i bagëtive vijon me ulje të ndjeshme që prej vitit 2017, ndërsa kulmi është arritur gjatë tre viteve të fundit, raporton AlbEu.com.
Blegtoria
Në fund të vitit 2020 Shqipëria numëronte 363 mijë krerë gjedhë, por viti 2022 është mbyllur me 298 mijë ku më të goditurat janë lopët, numri i të cilave është ulur ndjeshëm duke zbritur në 261 mijë në fund të vitit 2022.
Për dramatike paraqitet situata sa i përket të leshtave, ku viti 2020 u mbyll me 1 558 000 të tilla, ndërsa në fund të vitit 2022 numri ka pësuar një rënie dramatike duke zbritur në 1 372 000.
Në rënie të lirë, por me ritme disi më të përmbajtura janë të dhirtat, të cilat kanë pësuar një tkurrje me -50 mijë nga 2020 në 2022.
Shqipëria ndërkohë numëron 1.1 milionë shpendë më pak në fund të 2022 krahasuar me vitin 2020, ndërsa për çudi ka filluar edhe rënia e numrit të derrave, i cili më parë ka qenë në një ritëm rritës. Megjithatë, rënia te derrat është më e vogël krahasuar me lopët, delet dhe dhitë.
Situata te njëdhundrakët paraqitet pak më e stabilizuar, ku rënia po ndodh me ritëm më të ulët krahasuar me kafshët e tjera.
Prodhimet bujqësore
Rënia e numrit të kafshëve shtëpiake ka tkurrur ndjeshëm edhe prodhimin blegtoral gjatë tre viteve të fundit. Nga rreth 1 milionë don qumësht që prodhohej në 2020, i cili po ashtu paraqitet me rënie krahasuar me vitet e mëparshme, në fund të vitit 2022 Shqipëria prodhoi 970 mijë ton qumësht; nga 150 mijë ton mish në 2020 në fund të vitit 2022 është prodhuar rreth 140 mijë ton dhe nga 861 milionë kokrra vezë në 2020, në fund të vitit 2022 janë prodhuar 766 milionë kokrra.
Goditja duket mjaft e rëndë në blegtori, e cila me gjasë do të vijojë të pësojë goditje për shkak të mungesës së politikave efektive të subvencionit si edhe largimit masiv të qytetarëve duke shitur ose therur kafshët.
Ndërkohë, tregu është mbushur me prodhime nga jashtë, dhe sidomos qumësht pluhur apo mish nga Brazili, të cilat na mbushin tavolinat çdo vakt.
Ndërkohë, vërehet një rritje e ndjeshme e numrit të qenve si nëpër rrugë ashtu edhe në shtëpitë e qytetarëve si kafshë shtëpiake. /albeu.com