Syle Matoshi, djaloshi që nuk kishte mik për Superioren dhe mahnit botën nga Tik-Tok e Instagram

Shqipëria ka zbuluar shumë të talentuar në fusha të ndryshme të sportit. Futbolli dhe boksi janë ato dy kategori që ne kemi më shumë të talentuar. Syle Matoshi nuk është njëri prej tyre! 27-vjeçari me origjinë nga Tropoja praktikon një tjetër sport dhe sot është një nga më të ndjekurit në rrjetet sociale botërisht.

Po të hapësh profilin e tij të “Instagram”-it apo të “TikTok”-ut, do të shikoni një mori videosh ku djaloshi bënë sfida të ndryshme me topin. E thënë më qartë, ai bënë stile të ndryshme me topin, ku në largësi dhe pozicione të ndryshme, me kurriz nga objektivi i tij që mund të jetë një kosh basketbolli, bagazh makine, ai kalon topin mbi to.

Fama e tij ka tejkaluar territorin tonë, ku shumë faqe të mëdha të rrjeteve sociale vazhdojnë e publikojnë mrekullitë e tij. Në një intervistë me gazetarin e ABC News, Hergi Llupi, Syle Matoshi ka treguar se si lindi kjo ide për të praktikuar këtë sport por jo vetëm.

Si lindi ky pasion dhe në çfarë moshe ke filluar ta praktikosh?

Që në moshën 5-vjeçare kam nisur të luaj futboll. Kam luajtur në Shqipëri me ekipet e Partizanit dhe të Tiranës deri në moshën 10-vjeçare. Më pas kam luajtur në Angli me ekipin e moshave të Norwich dhe më vonë vazhdova karrierën time në Suedi, me disa ekipe të ndryshme si Lidingo, Djurgarden dhe AIK-Stockholm.

Rreth moshës 19-vjeçare vendosa të kthehesha në Shqipëri dhe të vazhdoja karrierën në ndonjë ekip të Superiores, siç edhe më kishin premtuar, por nuk rezultoi ashtu. Pavarësisht talentit që mund të kesh, është e vështirë të depërtosh pa ndonjë mik. Kështu u detyrova të gjej ndonjë drejtim tjetër edhe pse sot ende qëllimi im mbetet futbolli, pasi kjo që unë sot praktikoj mbetet vetëm pasioni im.

Sa orë në ditë praktikohesh?

Të jem i sinqertë nuk praktikohem, thjesht marr topin dhe vazhdoj videon duke bërë atë që di të bëj më mirë. Kryesisht këtë gjë e bëj kur kam kohë të lirë, jo se bllokoj totalisht ditën me këtë gjë.

Pas atyre videove të mrekullueshme që ti bën, sa dështime fshihen pas?

Patjetër që ka dështime, pa dështime nuk do isha ky që jam sot. Madje shpesh kam postuar edhe kolazh me momentet kur unë kam dështuar.

Kur pe që faqja e njohur sportive në Instagram “433” të kishte publikuar videot, si u ndjeve?

Kur më postuan faqet më të të mëdha të botës si “433”, “9GAG”, “WorldStar”, “Sportscenter” e shumë të tjera, u ndjeva shumë mirë dhe shumë krenar për veten. Gjithë ajo punë dhe mundim u shpërblye rastësisht. Pastaj erdhi një periudhë që nuk më bënin shumë përshtypje, u mësova.

A je kontaktuar ndonjëherë nga persona të huaj VIP?

Patjetër që kam pasur shumë personazhe të njohur të huaj futbolli, por jo vetëm. Ata kanë pëlqyer videot e mia dhe madje kanë komentuar, por jo se kam kontakte me ta.

Ke menduar ndonjëherë të merresh me “Freestyle Football Juggling”?

Këtë gjë di ta bëj, por nuk është në prirjen time. Xhunglimet dhe Freestyle i kam ushtruar, por thjesht për të vrarë kohën, jo se më tërheq shumë.

Cili ka qenë ushtrimi më i vështirë që ke bërë me topin?

Në fakt janë disa që mund t’i cilësoj të vështira, por mendoj se video që kam postuar së fundmi futet te kategoria e më të vështirave.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Syl Matoshi (@sylematoshi)


Shtuar 25.04.2022 20:26