Deklarta e kryeministrit Rama për ish-deputeten Mimi Kodheli bëri bujë të madhe në media. Kryeministri u shpreh se në moshën e tij të pubertetit kishte një pëlqim ndaj Kodhelit duke e quajtur “super kinge me flokë të gjatë.”
“Unë isha i vogël kur prindërit e Mimit vinin në shtëpinë time. Ata vinin dhe me Mimin, e Mimi ishte një kinge me flokë të gjata. Ishte një fushë basketbolli poshtë pallatit dhe unë dilja poshtë dhe gjuaja që të tregoja sa i zoti isha për kosha.
Por deri këtu, asgjë më tepër. Më pas u takuam pas shumë vitesh dhe Mimi punonte në sektorin bankar. Ajo erdhi të punonte me ne më pas. S’po jua tregoj pjesën tjetër të historisë sepse tani e dini,” deklaroi Rama diten e djeshme.
E pyetur gjatë një interviste në News 24 për këtë deklaratë, Kodheli vendosi ta quajë thjesht një shaka dhe se prindërit e tyre ishin miq.
“Bëri edhe njëherë shaka kryeministri. Prindërit kanë qenë miq, ne jemi të një moshe, e kemi parë njëri-tjetrin duke u rritur.
Kemi 20 vjet që bashkëpunojmë, duke filluar nga Bashkia e Tiranës. Jam kërkuar prej tij, edhe pse kam kundërshtuar disa figura të djathta e të majta. Nuk më interesonte fillimisht politika, bëja profesionin tim.
Kur jam futur në politikë, kisha realizuar të gjitha ëndrrat e mia. Ajo që na bashkoi ishte ndryshimi i Tiranës. Por, kam akoma shumë për t’i dhënë shoqërisë. Sa i përket Ditmir Bushatit, kam bashkëpunuar me të prej shumë kohësh.
E vlerësoj Ditmirin për çfarë i ka dhënë politikës dhe Ditmiri duhet ta vlerësonte politikën, sepse ishte 6 vjet ministër i Jashtëm. Ditmirin e shoh aktiv në politikë”, u shpreh Kodheli. /albeu.com/