Shërbimet publike online tashmë do të rikthehen në normalitet dhe në shërbim të qytetarëve nisur nga dita e sotme.
Ky informacion është bërë me dije nga AKSHI.
Prej 4 javësh portali qeveritar e-Albania nuk ishte në funksion të qytetarëve për shkak të sulmit kibernetik.
Kështu që mbas këtij sulmi u mor vendimi që mos kishte asnjë shërbim nga ky portal dhe të gjithë që kishin nevojë për shërbime t’i drejtoheshin sporteleve fizike për shkak të mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve shqiptarë.
NJOFTIMI
Pas thuajse 4 javësh kundërveprimi intensive, ndaj agresionit kibernetik, shërbimet online për qytetarët dhe bizneset janë normalisht të aksesueshme.
Aktualisht, 1224 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë. Tashmë platforma e-Albania aksesohet dhe nga jashtë territorit të Republikës Shqipërisë dhe mund të aplikohet për 36 shërbimet konsullore.
Janë në funksion të plotë shërbimet e:
– Vërtetimit të pagesës së aftësisë së kufizuar;
– Kryerja e pagesave të ujit për UKT Tiranë;
– Aplikimet për Leje ndërtimi (e-Lejet), vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe përdorimit te burimeve ujore;
Ndërkohë, stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimin e fundit të mbetur: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja.
Me qëllim vijimin e mëtejshëm të procedurave administrative për aplikimet e ngarkuara në sistemin e-Leje, në mbështetje të VKM-së Nr. 430, datë 11.7.2018 “Për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për sistemin elektronik të lejeve (e-leje)”, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), në cilësinë e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit (AKSHI):
▪ ofron asistencë ligjore dhe procedurale ndaj Bashkive dhe institucioneve që kanë akses në sistemin elektronik e-Leje;
▪ përgatit udhëzimin përkatës mbi bazën e të cilit do të operojnë të gjithë aktorët e përfshirë në proces, që dërgohet për shqyrtim dhe miratim dhe pranë Këshillit Kombëtar të Territorit.
AKSHI shpreh edhe një herë mirënjohje për të gjithë punonjësit e ekipit, që ia dolën të rikuperojnë, në një kohë record, shërbimet publike online, si dhe skuadrën speciale të Microsoft për ndihmën e ofruar gjatë gjithë këtyre ditëve./albeu.com